Ballina Sport Kombëtarja rinis përgatitjet, largohen Broja, Uzuni e Roshi

Kombëtarja rinis përgatitjet, largohen Broja, Uzuni e Roshi

1

Kombëtarja kuqezi, pas sfidës me Italinë të humbur 1-3, ka nisur përgatitjet për miqësoren e radhës, atë me Armeninë që do të luhet në “Air Albania” më 19 nëntor duke nisur nga ora 17:30. Skuadra ka zbritur gjatë ditës së sotme në kompleksin Tropikal në një seancë të lehtë stërvitore me ata lojtarë që u aktivizuan për pak minuta, ose që nuk u aktivizuan fare me Italinë. Ndërkohë, titullarët punuan me ushtrime të reduktuara, pa ngarkesë fizike.

Sulmuesi Armando Broja është larguar nga grumbullimi për shkak dëmtimi. Pas konsultave të zhvilluara është parë e arsyeshme që sulmuesi kuqezi të rikthehet tek skuadra e tij Chelsea. Gjithashtu, nga grumbullimi janë larguar dhe Myrto Uzuni e Odise Roshi, duke respektuar kështu marrëveshjen e mëparshme me klubet e tyre respektive, duke ditur që kanë ndeshje në kampionatet përkatëse.

Sa i takon pjesës tjetër të lojtarëve aktualisht nuk ka probleme me dëmtimet, ndërkohë që skuadra do të zhvillojë të premten në ora 15:00 stërvitjen zyrtare në Tropikal para ndeshjes me Armenisë, kurse konferenca zyrtare për median me trajnerin Reja dhe një lojtar do të zhvillohet në ora 14:30 po në Durrës.