Edhe në seancën e parafundit stërvitore e kombëtares për ndeshjen me Moldavinë, trajneri i ka ndarë lojtarët në dy grupe, duke punuar veçmas me secilin prej tyre. Një pjesë në palestër e të tjerët në fushë. Sylvinho është bërë edhe vetë pjesë e stërvitjes duke pasuar me Asllanin e Sadikun në momentet e para.
Thuajse çdo ditë, pjesë e punës ka qenë edhe analiza video ku janë diskutuar ndeshjet dhe paraqitja e kundërshtarit, por edhe lojërat e mëparshme të kombëtares, në përpjekje për të kuptuar defektet dhe për t’i korrigjuar ato.
Pasi janë analizuar pamjet filmike të ndeshjeve, seanca e parafundit kishte të bënte me veprimet taktike dhe lëvizjet e skuadrës në momente të ndryshme të lojës. Tashmë duket se trajneri e ka idenë e saktë edhe për formacionin. Ndryshe nga disa ditë më parë, Sylvinho pritet t’i besojë mesin e fushës Keidi Bares.
Sa i përket sulmit, Anis Mehmeti është në balotazh me Jasir Asanin. Dyshja tjetër Cikalleshi dhe Uzuni janë të padiskutueshëm, por në varësi të rezultatit pritet t’i jepen minuta edhe Armando Sadikut. Ndeshja e së shtunës në mbrëmje do të vije direkt në ekranin e Tv Klan.