Ballina Vendi Ka më shumë fitore se Marku, boksieri fierak sfidon medalistin olimpik

Ka më shumë fitore se Marku, boksieri fierak sfidon medalistin olimpik

1

Në boksin amator regjistron suksese dhe tituj të shumtë kampion në Shqipëri, ndërsa që prej vitit 2015 Xhuljo Vrenozi ka veshur dorezat në boksin profesionist, duke pasur një karrierë mjaft të mirë.

29-vjeçari fierak numëron plot 18 fitore dhe vetëm 4 humbje si profesionist dhe vijon të konkurrojë në nivele të larta. Ndalesa e radhës për Vrenozin do të jetë kundër një emri të madh të boksit anglez, siç është Josh Kelly, medalist në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, i cili si profesionist e ka bilancin: 10 fitore dhe vetëm 1 humbje (kundër kampionit të Europës, David Abeseyan).

Përballja e shumëpritur e peshave 69 kg (“super welter”), Vrenozi-Kelly do të zhvillohet më 13 maj në sallën madhështore “O2 Arena” në Londër, një duel me 10 raunde. Për këtë sfidë, Xhuljo Vrenozi ka nisur përgatitjet prej kohësh, teksa po stërvitet intensivisht, për t’u ngjitur në ring në formën e tij më të mirë.

Ndonëse do të ketë përballë një rival shumë të fortë, Vrenozi e di mjaft mirë se si triumfohet në nivele të larta, mjaftojmë të kujtojmë suksesin e fierakut kundër ish-medalistit olimpik, mongolezit Uranchimegiin Mönkh-Erdene.

Kjo do të jetë ndeshja e dytë për këtë vit e Vrenozit, i cili më 27 mars fitoi kundër bullgarit Teodor Nikolov. Në prag të duelit kundër britanikut, Vrenozi duket shumë i karikuar, teksa në një prononcim për “Panorama Sport” thotë se do të ngjitet në ring vetëm për ndeshje të vërteta:

“Tashmë kam arritur të dueloj në nivelet më të larta të boksit profesionist. Ndeshjet që kam në program dhe disa që kam zhvilluar deri më tani janë me boksierë të mirënjohur dhe në 100-shen e renditjes botërore, si dhe gjithashtu disa me tituj të rëndësishëm apo pretendentë për tituj prestigjioz.

Synimet e mia në boks janë që të zhvilloj ndeshje 100% të vërteta, ku niveli është maksimal. Të dhuroj spektakël në ring dhe të shikoj kapacitetin tim kundër këtyre kampionëve të vërtetë.

Për mua, pak rëndësi kanë numrat në këtë sport, edhe pse unë kam një rekord të mirë. Unë do të vazhdoj përpara të përplasem në nivelet më të larta me këta boksierë në arenat që kam ëndërruar.

Dua të falënderoj të gjithë sponsorët dhe trajnerët që po më ndihmojnë në këtë ‘training camp’, si dhe trajnerin tim në Shqipëri, Baftiar Abazajn që ka nxjerrë shumë kampionë kombëtarë gjatë viteve dhe na ka mësuar ‘abc’-në e boksit”, shprehet Xhuljo Vrenozi.