Ballina Kulture Jakov Xoxa “Nderi i Akademisë”, Akademia e Shkencave nderon shkrimtarin në 100-vjetorin...

Jakov Xoxa “Nderi i Akademisë”, Akademia e Shkencave nderon shkrimtarin në 100-vjetorin e lindjes

0

I cilësuar nga studiuesit si shkrimtari më përfaqësues i romanit realist shqiptar, Jakov Xoxa u nderua këtë të mërkurë, me çmimin e mirënjohjes më të lartë të Akademisë së Shkencave.

Tashmë emri i tij mban dekoratën “Nderi i Akademisë”.

Në përkujtim të 100-vjetorit te lindjes së shkrimtarit, Akademia e Shkencave e ka veçuar këtë figurë të letrave shqipe si personalitetin e vitit.

Ndaj, në këtë konferencë  shkencore, studiues dhe personalitete të ndryshme nderuan kontributin letrar që ka dhënë shkrimtari Jakov Xoxa, sidomos me triptikun e romaneve të tij “Lumi i vdekur”, “Juga e bardhë” dhe “Lulja e kripës”.

Vepra e Jakov Xoxës ka një rëndësi historike për rolin që pati si përbashkuese e vetvetishme e lexuesit shqiptar kudo që ndodhej. Ai ka meritën përjashtimore që bashkoi në një vepër “shqiptarin e vjetër” të Kosovës në mjedisin e Shqipërisë shtetërore dhe të vjetër; është i pari që futi në letërsi karakterin shqiptar të muhaxhirit nga Kosova, me fatin, gjuhën, traditën e tij”, tha Skënder Gjinushi.

Përpos vlerësimit si një nga romancierët më të rëndësishëm të historisë sonë letrare, studiuesit dhe lexuesit besnikë të tij, e vlerësojnë shkrimtarin Jakov Xoxa, edhe si një lëvrues të thellë dhe një pasurues të gjuhës shqipe.

Në hollin e Akademisë së Shkencave u eskpozuar edhe veprimtaria letare e shkrimtarit, ku paraqitej për herë të parë edhe një përkthim i ri në gjuhën italiane i veprës së mirnjohur “Lumi i Vdekur”.

Kjo konferencë do të vazhdojë sërish edhe në datën 9 qershor në Fier, aty ku shkrimtari ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij krijuese.