Gaza- Luftime të përgjakshme në Rripin e Gazës.
Por orët e fundit Izraeli ka rënë dakord për një armëpushim pas një bombardimi tre-ditor të pozicioneve të Xhihadit Islamik Palestinez (PIJ), i cili vrau të paktën 31 palestinezë, ndërsa militantët hodhën qindra raketa gjatë shtimit të tensioneve midis palëve si kundërpërgjigje.
Armëpushimi për të cilin është rënë dakord është propozuar nga Egjipti, me Palestinën që duket e shkatërruar pas tre ditësh konflikti intensiv. Mediat ndërkombëtare i referohen një burimi egjiptian teksa konfirmojnë lajmin.
Ndërkohë, gjashtë fëmijë janë në mesin e të vdekurve që nga fillimi i konfliktit të premten, ndërsa 275 njerëz janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavën ku disa ndërtesa u shndërruan në rrënoja.
Izraeli filloi bombardimin e tij të para të premten si pjesë e një operacioni të befasishëm të quajtur ‘Breaking Daën’ për të cilin Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se ishte një ‘sulm parandalues’ i krijuar për të penguar një sulm të planifikuar me raketa PIJ.
IDF herët këtë mëngjes vazhdoi bombardimet intensive ajrore ndaj grupit të mbështetur nga Irani, i cili gjithashtu ka lëshuar qindra raketa që nga e premtja.
Autoritetet izraelite thanë se një nga sulmet e tyre mbrëmë vonë vrau një komandant të PIJ-së, Khaled Mansour, i cili besohej se ishte fshehur në një ndërtesë apartamentesh në kampin e refugjatëve Rafah në Gazën jugore, por disa civilë palestinezë u vranë gjithashtu në shpërthim.
Luftimet janë më të këqijat në rajon që nga lufta 11-ditore në maj 2021 midis forcave izraelite dhe Hamasit.