Ballina Vendi Investimet strategjike, Kushtetuesja rrëzon kërkesën e PD për Komision Hetimor

Investimet strategjike, Kushtetuesja rrëzon kërkesën e PD për Komision Hetimor

1

Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar kërkesën e një grupi prej 35 deputetësh të Partisë Demokratike për konsiderimin jo kushtetues të vendimit të Kuvendit, për mosngritjen e një Komisioni Hetimor për investimet strategjike.

Kërkesa e deputetëve demokratë është rrëzuar në mbledhjen e gjyqtarëve në seancë paraprake, pa kaluar në seancë plenare, me argumentin se nuk plotëson kriteret ligjore për pranimin e saj për shqyrtim në seancë plenare.

Në kushtet kur konflikti i krijuar si rrjedhojë e vendimit të kundërshtuar të Kuvendit nr. 53/2022, në thelb, ka të bëjë me një mosmarrëveshje kompetence, Mbledhja e Gjyqtarëve vlerëson se në çështjen në shqyrtim një grup prej jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, si subjekt kushtetues i ndryshëm nga një e katërta e deputetëve, nuk përbën subjekt në konfliktin kushtetues. Për rrjedhojë, në kuptim të nenit 131, pika 1, shkronja “ç”, të Kushtetutës dhe nenit 54, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, Mbledhja e Gjyqtarëve çmon se nuk mund të legjitimohet si subjekt në kërkesën drejtuar Gjykatës sipas objektit”, thuhet mes të tjerash në vendim.

Kujtojmë se 35 deputetë të PD i kërkuan Kuvendit ngritjen e një Komisioni Hetimor që të kontrollonte mënyrën sesi Qeveria ka zbatuar ligjin për investimet strategjike, duke akuzuar se ligji është shndërruar në një ligj klientelist. Megjithatë, kërkesa e tyre u rrëzua nga Kuvendi.

/rtsh.al/