Ballina Vendi Integrimi/ Rama: Jemi gati, po punojmë njësoj sikur të ishin hapur bisedimet

Integrimi/ Rama: Jemi gati, po punojmë njësoj sikur të ishin hapur bisedimet

1

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një konferencë për shtyp me shefin e politikës së Jashtme në Bashkimin Europian, Josep Borrell.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se me Borrell ka diskutuar për pozicion e Shqipërisë në luftën në Ukrainë.

“Unë përsërita atë që dihet: se Shqipëria ka zgjedhur këtë pozicion si pozicionin e vet natyral dhe jo se na e ka kërkuar njeri në Bruksel apo Berlin. Ne jemi anëtarë krenarë të një aleance si NATO dhe jemi europianë krenarë. Jemi shqiptarë që shohim nga Europa të ardhmen tonë. Për këto arsye, ne jemi në këtë pozicion, që është një pozicion që na e imponojnë fëmijët tanë. Lufta në Ukrainë është një vijë ndarëse mes botës që ne e njohim mirë, të mungesës së të drejtave të lirive, izolimit dhe dhimbjeve të imponuara nga regjimi autoritar; dhe botës që kemi sot, që mund të jetë më e mirë seç është, por është shumë më e mirë sesa bota që kishim. Qëndrimi ynë nuk është parimor në raport me një popull tjetër, por qëndrim ekzistencial, në raport me fëmijët tanë”, tha Rama.

Ndër të tjera Rama tha se më Borrell ka diskutuar edhe për çështjen e integrimit.

“KE e ka thënë që Shqipëria duhet të ulet në tryezë, por Këshilli Europian nuk e ka bërë dot këtë për një bllokim të Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria. Ne jemi gati, por ndërkohë do të bëjmë punën njësoj sikur të ishin hapur bisedimet. Sa më parë ta bëjnë, është në nderin e tyre pasi po kalon shumë kohë duke mos mbajtur premtimet”-tha Rama.