Ballina Sport Igli Tare zyrtarizon largimin pas 18 vitesh nga Lazio: Një aventurë intensive,...

Igli Tare zyrtarizon largimin pas 18 vitesh nga Lazio: Një aventurë intensive, do ta mbaj gjithçka në zemër

0

Igli Tare nuk është më drejtori sportiv i Lazios. Ish-sulmuesi shqiptar, në klubin bardhekaltër të kryeqytetit italian qysh nga viti 2005, fillimisht si futbollist, dhe pas tavolinës si drejtues, që nga viti 2009, ka bërë të ditur vendimin e tij për “TG1”: “Po largohem pas 18 vitesh, ishte një aventurë intensive. Gjithçka do ta mbaj në zemrën time”.

Duke shtjelluar më tej këtë ndarje jo pak emocionale me Lazion, biondi shqiptar shtoi: “E kam bërë këtë zgjedhje prej disa kohësh, por kam pritur të mirën e Lazios për të arritur objektivin e Champions League, i vetëdijshëm se kam ndërtuar një ekip të fortë, me lojtarë të jashtëzakonshëm, të aftë për ta arritur këtë qëllim.

Ishte një aventurë e gjatë dhe intensive e përbërë nga gëzime, humbje dhe trofe. Nuk do të ndalem së falënderuari presidentin Lotito për mundësinë që më dha mua, tifozët bardhekaltër që hynë në zemrën time, klubin me të gjithë përbërësit e tij, lojtarët, stafin dhe të gjithë ata që më kanë qëndruar pranë në këtë rrugëtim. Një falënderim i veçantë mbi të gjitha shkon për familjen time që më ka qëndruar gjithmonë pranë.

Lazio ishte një mundësi prestigjioze që pata si lojtar dhe si menaxher, të cilën nuk do ta harroj kurrë, duke marrë me vete çdo moment të këtij rrugëtimi. Largohem me shpresën që secili prej jush do të vazhdojë me të njëjtin pasion që kisha unë, do ta ruani me xhelozi këtë realitet të bukur që po ju lë të ndërtuar. Gjithmonë, forca Lazio!”