Ballina Vendi I vun tritol baneses,flet oficeri i policise ne Shkoder:Nuk e di kush...

I vun tritol baneses,flet oficeri i policise ne Shkoder:Nuk e di kush jane autoret dyshoj per shkak te detyres

1

SHKODËR- Kanë dalë pamjet e banesës së shkatërruar të oficerit të policisë vendore në Shkodër Pëllumb Vukaj, të cilit i vendosën tritol sot në orët e para të mëngjesit.

Familjarët dhe vetë efektivi nuk kanë pësuar lëndime ndërsa banesa dhe automjeti i tij që ndodhej i parkuar në oborr kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale.

Nga pamjet shihet qartë se ka qenë një sasi e madhe eksplozivi pasi janë shkatërruar dyer, dritare, mure dhe orendi. Po ashtu edhe mjeti tip Benz i parkuar para banesës.

Vukaj ka deklaruar se dyshimet e tij janë se vendosja e tritolit mund të jetë për shkak të detyrës, por nuk ka një ide konkrete se kush mund të jetë por këtë ngjarje e lidh me punën e tij.

“Nuk e di se kush mund të jenë autorët sepse nuk kam pasur konflikte ose kërcënime të drejtpërdrejta. Ajo që dyshoj është se mund të ketë ardhur për shkak të detyrës time”.

Pëllumb Vukaj punon prej 27 vitesh në policinë e shtetit dhe ndër këto vite ka pasur detyra të ndryshme që nga aksionet e drogës, hetimet e vrasjeve dhe hetime të tjera të ngjarjeve të rënda. Dyshimet e policisë vendore të Shkodrës për momentin janë për shkak të hetimeve që Vukaj ka bërë për aksione të ndryshme droge, arrestimin e personave të ndryshëm që janë marrë më kultivimin dhe trafikimin e kanabisit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2:25 të mëngjesit në banesën e efektivit të policisë kur të gjithë ishin në gjumë. Brenda banesës kanë qenë edhe dy djemtë dhe bashkëshortja e tij. Shpërthimi i fuqishëm që është dëgjuar në gjithë zonën e fshatit Hot i Ri ku jeton familja e efektivit Vukaj i ka zgjuar menjëherë.