Ballina Vendi I vdiq vajza në spital, por i la dy djem pas, thirrja...

I vdiq vajza në spital, por i la dy djem pas, thirrja e nënës nga Vlora: Më ndihmoni të fitoj kujdestarinë e nipërve

1
  • Ditët ikin dhe dhimbja mbetet po e njësoj. Po bëhen rreth 6 muaj që zemra e 23-vjeçares Brisilda Sadushi ndali pas një operacioni në një shtrat të spitalit të Vlorës. Fatmira, nëna e Brisildës nuk i than lotët.

E ftuar në emisionin ‘Me zemër të hapur’ në ‘News24’ e moshuara tregon se i vjen keq që nuk mundi ta shpëtojë të bijën nga peripecitë e jetës që e çuan drejt vdekjes. Motiv që vazhdon të ecë para, janë 2 fëmijët e Brisildës të mbetur jetim me nënën e vdekur e babanë të dënuar me 3 vjet për dhunë në familje. Ajo ka nisur për ta një betejë ligjore për të fituar kujdestarinë, por kjo sfidë është edhe më e madhe. Si argument Fatmira ka vetëm dashurinë e pamatë për ta.

“E kam peng vdekjen e vajzës. Nuk ia plotësova kurrë dëshirat. Me ish-bashkëshortin e saj nuk është se jemi krah për krah. Ai ka jetën e tij. Flasim rrallë për nipërit. Bashkëshorti i vajzës u dënua 3 vite për dhunë, e ëma, vajza ime vdiq dhe nipërit kanë mbetur vetëm. Fëmijët i mbajnë gjyshërit nga ana e të atit. I marr në telefon, por nuk dua ta bezdis. Nipin e vogël e kam të sëmurë. Doja ti merrja për 6 muajt e vajzës por nuk mi dhanë. Jo gjithmonë ma hapin telefonin.

Tani kam një betejë për të fituar kujdestarinë e tyre. Gjyqi ende nuk ka nisur. Bashkia më ka dhënë një avokat që e paguan vetë. Më tha ‘do bëj të pamundurën’. Fëmijët janë shumë të afruar me mua. Sidomos djali i vogël është shumë i afruar se i kujtoj të ëmën. Më pyesin për të ëmën. E panë fotografinë e saj në mur e nisnin ta puthnin. I madhi tha ‘mamit i dhimbte barku, shkoi në spital dhe nuk u kthye më’.. Edhe për babanë flasin. Kam marrë vesh që flasin në telefon.”, tha gjyshja.

Në emision ka ndërhyrë edhe halla e fëmijëve të mitur.

“Më vjen keq që avokati ka kërkuar dënim maksimal për vëllain tim. Vëllai mori gjykim të shkurtuar, u dënua 2 vite dhe pak. Ai ka qenë gjatë në paraburgim dhe pak muaj i kanë mbetur. Ne e kemi çuar gjërat në gjykatën e apelit. Fatmira i di shumë mirë si janë fëmijët. Ajo dhe kujdestarinë e do vetëm për një fëmijë jo për të 2.”, tha halla. Ndërkohë Fatmira ka ndërhyrë duke shtuar se; “jo të dy fëmijët ose do të rrinë me mua ose me ju nuk ndahen”.

Pjesë e emisionit është bërë dhe babai i së ndjerës, i cili tha se nuk e dinte që vajza e tij dhunohej nga bashkëshorti. “Po ta dija që vajza dhunohej nuk e lija 5 minuta te burri jo 5 vite. Tani fëmijët janë kryefjala. Do ta mbështes Fatmirën që të kujdeset për nipërit. Edhe fëmijët e mi i kam rritur me gjak”, tha ai.