Ballina Vendi Harta e re gjyqësore në vend rebelon avokatët. Bojkot gjyqeve, ultimatum publik...

Harta e re gjyqësore në vend rebelon avokatët. Bojkot gjyqeve, ultimatum publik qeverisë

1

Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka reagur ashpër ndaj hartës së re gjyqësore në vend, të miratuar dje nga KLGJ. Kjo hartë e re gjyqësore nënkupton vetëm 13 gjykata të shkallës së parë në vend, nga 26 të tilla deri sot, si dhe funksionimin e 6 gjykatave administrative në krejt Shqipërinë.

Përmes një qëndrimi zyrtar, avokatët e konsiderojnë këtë nismë të qeverisë dhe pushtetit gjyqësor si shkelje e të drejtave të njeriut dhe si masë të parë kundërshtuese do të bojkotojnë të gjytha gjyqet për tri ditë.

Ja deklarata e plotë e Dhomës së Avokatisë: Komiteti Drejtues i Dhomës Avokatisë të Shqipërisë, pasi u njoh, mori në shqyrtim vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dt.10.06.22, me anën e të cilit është miratuar harta e re gjyqësore,

i bën prezent gjithë opinionit publik se, vendimi për miratimin e hartës së re gjyqësore është në shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit, të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta. Ky vendim cenon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit si dhe procesin e realizimit të mbrojtjes ne çështjet penale, civile dhe administrative.

Me keqardhje konstatojmë se ky vendim është në përputhshmëri dhe në përkrahje me një sërë shkeljesh të konstatuara në proceset penale, civile e administrative të zhvilluara në gjykatat e të gjitha niveleve.

Me këtë vendim u injoruan haptazi gjithë problematikat dhe argumentet e parashtruara nga ana e organeve drejtuese të Dhomës Qendrore dhe atyre vendore të Avokatisë gjatë procesit të diskutimit të draftit në shkallë vendi, fakt i cili tregoi qartë formalitetin, paragjykimin dhe abuzivitetin në mosmarrjen në konsideratë të mendimit të grupeve të interesit, përfshi Dhomën e Avokatisë të Shqipërisë si një nga aktorët kryesorë në procesin e dhënies së drejtësisë.

Nisur dhe bazuar në këtë situatë, Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë i bën thirrje Ministrit të Drejtësisë dhe nëpërmjet Tij i kërkojmë të përcjellë në qeveri, si institucioni vendimmarrës, gjithë argumentet e paraqitura në mbrojtje të interesave të personave fizikë dhe atyre juridikë, duke konkluduar mosmiratimin vendimit të mësipërm, paraqitur nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Ndodhur në këtë situatë, Komiteti Drejtues në mbështetje të vendimit paraprak marrë nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë si hap të parë vendosi:

1. Të bojkotojë të gjitha proceset gjyqësore, me përjashtim të masave të sigurimit, të planifikuara për gjykim në të gjitha nivelet e gjykatave, përfshirë edhe proceset e planifikuara në Gjykatën e Lartë, nga data 14 deri më 17 qershor.

2. Për ekzekutimin e këtij vendimi, ngarkohen organet drejtuese të Dhomës Qendrore dhe dhomave vendore.

3. Moszbatimi i këtij vendimi nga ana e avokatëve përbën shkelje të rëndë të kuadrit ligjor mbi profesionin e avokatit, e për rrjedhojë do të procedohen disiplinarisht.