Ballina Lajme Grumbullimi dhe përpunimi i produkteve bujqësore prioritet i punës së bashkisë së...

Grumbullimi dhe përpunimi i produkteve bujqësore prioritet i punës së bashkisë së Fierit

1

Bashkia e Fierit është e gatshme të krijojë ndërmarrje të përbashkëta me fermerët apo biznese të caktuara në fushën e prodhimit bujqësor, grumbullimit dhe përpunimit, për t’i dhënë hov zhvillimit të bujqësisë, jo vetëm si një element i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, por edhe si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të saj.

Pavarësisht investimeve rurale të kryera ndër vite në mentalitetin e punës së kryebashkiakut të Fierit Armando Subashi është koha që puna e bashkisë, që ai drejton, të përqendrohet në më shumë kohë te politika dhe projektet për rritjen e prodhimit bujqësor, përpunimin e tyre.

Aktualisht në territorin e bashkisë së Fierit ka disa subjekte private që operojnë në këtë fushë, por është parë e arsyeshme dhe ka ardhur koha që bashkia të thotë fjalën e saj si një operator ekonomik dhe me financime konkrete.

Sot në bashkinë e Fierit numërohen rreth 61 pika të përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, 39 pika grumbullimi kur 5 prej tyre janë të tipit frigoriferik. Duke mbetur sërish në pjesën e grumbullimit të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, në ketë territor bashkiak, ushtrojnë funksionin dhe aktivitetin e tyre tre tregje të tregtimit me shumicë të produkteve bujqësore, 19 tregje lokale dhe të lëvizshme në ditë të caktuara të javës në gjithë territorin e bashkisë së Fierit.

Në drejtim të produktit blegtoral në bashkinë e Fierit ushtrojnë aktivitetin shtatë therore të licencuara dhe ka filluar funksionimi i tregut të gjësë së gjallë. Por nxitja e shtimit të prodhimit bujqësor në kushtet aktuale kërkon një qasje të re lidhur me investimet në këtë sektorë.

Në bashkëpunim me grupe fermerësh, biznesmenësh janë identifikuar dhe do të zhvillohen në muajt e ardhshëm shumë projekte të tjera në drejtim të grumbullimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, katër të tipit frigoriferik. Me vlerë në këtë drejtim është investimi për ndërtimin e siloseve me kapacitet 1800 ton me vlerë 1.3 milionë euro secili për grumbullimin dhe magazinimin e drithërave, kryesisht grurë dhe misër.

Këto projekte janë depozituar dhe pranë Ministrisë së Bujqësisë për të parë mundësinë bashkëpunimit apo përftimit nga programi i qeverisë lidhur me fondin e garancisë sovrane.

Në pohimet e tij në këtë drejtim, kryebashkiaku Armando Subashi ka nënvizuar faktin që si bashki janë të gatshëm të krijojnë dhe ndërmarrje të përbashkëta me fermerët apo biznese të caktuara në fushën e prodhimit bujqësor grumbullimit dhe përpunimit. Këto investime do t’i japin hov zhvillimit të bujqësisë jo vetëm si një element i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, por edhe si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të bashkisë së Fierit./Tv Kombi