tvkombi
tvkombi

Gara për të prodhuar një vaksinë kundër kancerit të gjirit. Historia e Karen Linç

Bota

Publikuar ne:08:35 - 24/11/2022

Karen Linç u diagnostikua me kancerin e gjirit në moshën 44-vjeçare. Për të ishte sigurisht tronditëse, por jo fare e papritur. “Historia ime familjare është e mbushur me kancer. Babai im ishte sëmurë me kancerin e prostatës dhe më vonë vdiq nga kanceri i stomakut dhe i ezofagut. Dhe 5 motrat e tij vuajtën nga kanceri i gjirit. Edhe nëna ime vdiq nga kanceri i pankreasit”- thotë ajo. Ishte viti 1996 dhe testimi gjenetik nuk ishte një rutinë ashtu siç është tani. Ndaj vetëm 9 vjet pas diagnozës dhe trajtimit me lumpektomi dhe rrezatim, Linç mësoi se kishte mutacionin BRCA1, që e rriste rrezikun e saj për t’u prekur nga kancer i gjirit dhe ai i vezoreve.

Ajo vendosi të bënte një mastektomi të dyanshme (heqjen e të dy gjinjve) dhe histerektomi për të zvogëluar rrezikun e saj për të pasur një përsëritje apo një kancer të ri në vezoret e saj. Pas 3 vitesh analiza, Linç iu nënshtrua operacionit, duke e ditur se ishte shansi i saj më i mirë për të shmangur sërish dhe për të pasur një jetë të gjatë dhe të shëndetshme. Por ajo do që të bëjë më shumë se sa kaq. Në janar të këtij viti, ajo iu bashkua një studimi novator në “Penn Medicine”, ku po trajtohet, për të testuar një vaksinë që mund të parandalojë përsëritjen e kancerit të gjirit. “Nëse do të krijohet një vaksinë e tillë, kjo do të ndihmojë edhe fëmijët e mi. Ndaj e pata të lehtë të vendos për të marrë pjesë të këto testime”- thotë ajo.

Vaksinat quhen shpesh mrekullia e mjekësisë moderne, për shkak të aftësisë së tyre për të forcuar sistemin imunitar në luftën kundër viruseve dhe baktereve që shkaktojnë sëmundje. Meqë ato funksionojnë kundër sëmundjeve infektive, atëherë pse të mos përdoren edhe kundër sëmundjeve të tjera që e mundojnë prej kohësh njerëzimin, siç është kanceri?

“Të thuash se po punojmë për një vaksinë për të parandaluar kancerin për pjesën tjetër të jetës së njerëzve duket si diçka fantastiko-shkencore, Por nuk është një koncept tërësisht i paeksploruar”- thotë doktor Robert Vonderhajde, drejtor i Qendrës së Kancerit Abramson në Penn Medicine.

Pasi disa vaksina kundër kancerit ekzistojnë tashmë. Për shembull, vaksinat e Papillomavirusit Njerëzor (HPV) parandalojnë në një masë të madhe kancerin e qafës së mitrës duke synuar shtamet e HPV që shkaktojnë rritjen e tumorit. Por shumica e llojeve të kancerit nuk shkaktohen nga viruset, ndaj synohet të gjendet një mënyrë që do ta trajnojë trupin të njohë qelizat tumorale.

Studiuesit po analizojnë mënyrat për ta bërë këtë, duke filluar me imunizimin e njerëzve që janë prekur tashmë nga kanceri, në mënyrë që të reduktojnë rrezikun e përsëritjes. Përmirësimet tek saktësia dhe shpejtësia e renditjes gjenetike, kanë ofruar një panoramë më të qartë mbi atë që i bën qelizat e kancerit të fillojnë të rriten në mënyrë jonormale.

Po ashtu terapitë e reja me ilaçe që shënjestrojnë këto ndryshime gjenetike e kanë transformuar mënyrën se si mjekët e trajtojnë sëmundjen. Për shembull, trajtimet e zhvilluara së fundmi mund ta mësojnë sistemin imunitar të kërkojë dhe shkatërrojë qelizat e kancerit.

Por deri më sot trajtimet e imunoterapisë janë fokusuar kryesisht tek pacientët me sëmundje të avancuar, të cilat janë përhapur në të gjithë trupin e tyre. Ndaj vaksinat kanë qenë përgjithësisht një përpjekje e fundit për të kontrolluar sëmundjen.

Vaksina të tilla terapeutike kundër kancerit mbeten një punë në vazhdim, por suksesi i tyre edhe pse i kufizuar, së bashku me kuptimin e ri të nxitësve gjenetikë që qëndrojnë pas rritjes së kancerit, e kanë bërë më realiste idenë e një vaksine që mund të parandalojë kancerin. Shkencëtarët po përdorin gjithnjë e më shumë vaksina për të trajtuar më herët kancerin, dhe ata kanë filluar të arrijnë disa fitore në trajnimin e sistemit imunitar për të sulmuar kancerin e mushkërive, lëkurës dhe veshkave dhe për të parandaluar përsëritjen e tyre tek pacientët e shëruar.

Por këto strategji nuk kanë funksionuar aq mirë me kancerin e gjirit. “Shumë tumore të gjirit nuk nxisin aktivizimin e sistemit imunitar, ndaj ka shumë pak hapësirë për krijimin e një përgjigjeje imune. Këtu hyjnë në lojë vaksinat, sepse ato janë krijuar për të nxitur një përgjigje imune, e cila më pas mund të përpunohet”- thotë Vonderhajde.

Vonderhajde dhe të tjerët po synojnë t’i përdorin vaksinat në funksionin e tyre më të vërtetë: të optimizojnë përgjigjen imunitare kundër kancerit, duke i trajnuar qelizat që të njohin tumoret si elementë të huaj. Pasi të ndodhë kjo me kancerin e gjirit, Vonderhajde thotë se mund të jetë e mundur që jo vetëm të parandalohen përsëritjet e sëmundjeve tek njerëzit që kanë pasur tashmë kancer, si Linç, por edhe të mbrohen njerëzit nga zhvillimi i kancerit.

Por kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Dhe kjo lloj vaksine mund të jetë të paktën 1 dekadë apo më shumë larg. Qelizat e kancerit janë qeliza normale, që kanë marrë mesazhe gjenetike të gabuara për të filluar ndarjen jashtë kontrollit. Synimi i shkencëtarëve mund të ketë një kuptim intuitiv. Por është shumë e vështirë të identifikohen anomalitë specifike që kapin qelizat e kancerit, pasi ato janë shpesh të lidhura ngushtë me karakteristika jo kanceroze, si receptorët dhe proteinat e tjera që qeliza normale ka nevojë.

Përpjekjet e hershme gjatë dekadave të fundit për të synuar proteina të tilla specifike për kancerin rezultuan zhgënjyese. Por analizat më të sofistikuara të përbërjes gjenetike të qelizave tumorale po japin të dhëna se cilat proteina në sipërfaqen e këtyre qelizave janë kanceroze dhe cilat jo.

Të armatosur me këtë njohuri, shkencëtarët kanë një shans më të mirë për të trajnuar sistemin imunitar të njerëzve për të njohur dhe synuar elementët “e huaj” të kancerit, ashtu siç do të bënin me një virus të ri. Pranverën e vitit që vjen, studiuesit në Klinikën Kleveland do të fillojnë të regjistrojnë gra me faza të hershme të kancerit të gjirit, për të marrë një vaksinë në mënyrë që përgjigjet e tyre imune të zvogëlojnë mundësinë e zhvillimit të avancuar të sëmundjes.

Marrë me shkurtime nga “Time” – Bota.al

Ju sugjerojmë