Ballina Vendi Galeria “Vilson Kilica” një qendër e artit dhe kulturës bashkëkohore në bashkinë...

Galeria “Vilson Kilica” një qendër e artit dhe kulturës bashkëkohore në bashkinë e Fierit

1

Pak vite më parë, ngrehina e ish-fabrikës së miellit, ndërtim i vitit 1936, dhe sheshi përreth të ngjallte trishtim teksa e shihje ashtu të zezë që lartësohej në qiell. Falë projektit të bashkisë së Fierit sheshi rreth kësaj godine së bashku me vetë atë u shndërruan në një nga qendrat më të frekuentuara të qytetit të fierit, nga të gjithë grupmoshat.

Sot galeria e arteve “Vilson Kilica” është një ndër institucionet më të rëndësishme kulturore të Bashkisë së Fierit, godina e së cilës, që nga 20 prilli i vitit 2018, është vendosur në qendër të qytetit, në parkun qendror, në godinën e ish- fabrikën e miellit. Galeria e Arteve “Vilson Kilica” u themelua në vitin1979, si një institucion kombëtar muzeor, studimor, me qëllim ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kombëtare në fushën e arteve pamore.

Nga ky moment, ajo ka qenë një institucion i rëndësishëm i artit dhe kulturës për rajonin e Fierit, në të cilën promovohen vlerat më të mira artistike të krijuesve fierakë si dhe të artistëve nga trevat e tjera shqiptare e ndërkombëtare. Ajo shërben për ekspozimin, konservimin, studimin, edukimin, dokumentimin dhe arkivimin e veprave të artit në Fier.

Sot Fondi i Galerisë së Arteve “Vilson Kilica” numëron gati mbi 200 vepra: në pikturë, skulpturë, fotografi artistike, grafike dhe arte të tjera të aplikuara. të cilat shtohet nga viti në vit. Kjo galeri mban emrin e artistit të njohur fierak “Vilson Kilica” që gëzon titullin “Piktorin e Popullit”, artist që jetoi me ngjyrat, të cilat ua përcolli me bujari të rinjve. Kilica ishte një ndër krijuesit më të rëndësishëm të pikturës shqiptare, me kontribut të pazëvendësueshëm.

Mbi 100 vepra të Vilson Kilicës janë ekspozuar në vende të ndryshme të botës e shumë të tjera në institucione brenda vendit. Shumë prej tyre gjenden në edhe në galerinë e qytetit të Fierit. Sot mjediset e kësaj galerie gjallërojnë nga aktivitetit që pasojnë njëra-tjetrën, si në aspektin individual dhe atë kolektiv të ekspozitave ndërkombëtare fotografike tashmë me një traditë të konsoliduar , apo edhe të piktorëve të afirmuar e të rinj duke rritur kështu nivelin e edukimit artistik dhe kulturor të banorëve të tij. Sipas statistikave kjo galeri vizitohet nga1500 e më shumë vizitorë në muaj ose rreth 20 mijë të tillë në vit.