Frikë e madhe për Bullgarinë. Autobusi i ekipit kombëtar u përplas në Tbilisi dhe mesfushori Todor Nedelev u dërgua me urgjencë në spital, në kryeqytetin e vendit. Ekipi bullgar ndodhet në Gjeorgji për xhiron e katërt të Ligës së Kombeve të Grupit L. Kombëtarja e drejtuar nga Jasen Petrov do të përballet nesër me gjeorgjianët në stadiumin “Boris Paichadze”.
Të premten në mbrëmje, kombëtarja bullgare zbarkoi në Tbilisi. Në aeroport, lojtarët dhe stafi stërvitor u ndanë në dy autobusë dhe u nisën për në hotel. Të dyja automjetet po lëviznin me shpejtësi të madhe. Sipas rindërtimit të aksidentit rrugor, në një moment drejtuesi i autobusit të parë ka frenuar fort për të shmangur një aksident, por drejtuesi i autobusit të dytë nuk ka pasur kohë të frenojë.
Përplasja ka qenë jashtëzakonisht e fortë dhe fatkeqësisht një lojtar ka mbetur i lënduar. Ky është mesfushori i Botev Plovdiv, Todor Nedelev, i cili u dërgua me urgjencë në spital me prerje në fytyrë dhe duar, të shkaktuara nga xhamat e thyer.
Media bullgare raportoi se lojtari ishte i mbuluar me gjak, ndërsa shokët e tij tepër të frikësuar. Federata Bullgare e Futbollit (Bfu) shpjegoi më pas dinamikën e aksidentit në një deklaratë: “Ekipi kombëtar pësoi një aksident të rëndë rrugor pasi mbërriti në Tbilisi. Rrugës për në hotelin e ekipit, shoferi i të parit nga dy autobusët që transportonin tonë ekipi ka humbur kontrollin e mjetit.
Pas përplasjes, mesfushori Todor Nedelev u transportua në një spital lokal, ku aktualisht po iu nënshtrohet ekzaminimeve të plota klinike. Të gjithë anëtarët e tjerë të ekipit dhe stafi i kombëtares bullgare janë mirë”.
Pas një fillimi katastrofik në Ligën e Kombeve, me humbjen 2-5 në shtëpi ndaj Gjeorgjisë dhe barazimet me Maqedoninë e Veriut e Gjibraltarin, Bullgaria do të përpiqet të reagojë nesër. Megjithatë, kjo ndeshje jashtë fushe nisi shumë keq…