Ballina Lajme Flamur provokues ndaj Kosovës, FIFA hap hetim kundër Federatës serbe

Flamur provokues ndaj Kosovës, FIFA hap hetim kundër Federatës serbe

1

FIFA ka hapur procedurë disiplinore kundër Federatës Serbe të futbollit për flamurin anti-Kosovë të varur në dhomën e zhveshjes së skuadrës, mbi fanellat e lojtarëve Milos Veljkovic dhe Andrija Zivkovi, para ndeshjes të së enjtes së kaluar kundër Brazilit. Në foton e realizuar para ndeshjes dhe e cila më vonë u bë virale në rrjetet sociale, ishte ky flamur që paraqet hartën e Kosovës me flamurin serb në të dhe sloganin: “Nuk do të ketë dorëzim”. Organizata botërore nuk përmend ndonjë shkelje specifike të kodit të saj disiplinor, por pohon detyrimin e përgjithshëm të “fair-play dhe jo dhunës” të vendosur ndaj 32 pjesëmarrësve në Kupën e Botës në Katar.

Subjekti i sanksioneve që mund të vendosen ndaj federatave varion nga një ndeshje me dyer të mbyllura deri në një humbje, por, siç u përmend, FIFA nuk specifikon shkallën e gravitetit të veprës për të cilën akuzohen serbët. Përhapja e fotos çoi në një protestë zyrtare nga Kosova, përmes ministrit të saj të sportit Hajrullah Çeku, i cili denoncoi “imazhe të turpshme” duke transmetuar “mesazhe urrejtjeje, ksenofobie dhe gjenocidi”. “Presim veprime konkrete nga FIFA, ku Kosova është anëtare me të drejta të plota”, ka shtuar ministri i Sportit.

Nga ana e saj, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) kishte bërë të ditur se kishte bërë ankesë në FIFA kundër “aksionit agresiv të Serbisë” dhe kishte kërkuar sanksione adekuate. Një akt i tillë shovinist nuk duhet të ketë vend në ngjarjet sportive e aq më pak në vendet ku zhvillohet ngjarja më e madhe e futbollit botëror”, ishte ankesa e FFK-së. Ndërkohë, edhe në kujtesën e ndeshjes së katër viteve më parë dhe gjestit të lojtarëve  Xhaka dhe Shaqiri, me origjinë shqiptare, klima rreth ndeshjes Serbi-Zvicër të 2 dhjetorit bëhet inkandeshente.