Ballina Vendi Finalizohet operacioni policor i koduar “FAKE TEST”, goditen 2 raste të kryerjes...

Finalizohet operacioni policor i koduar “FAKE TEST”, goditen 2 raste të kryerjes së testit SARS-Cov-2 jashtë procedurës standarde

2

Arrestohet një farmaciste, shpallet në kërkim administratorja e farmacisë, procedohet në gjendje të lirë një shtetas tjetër.

Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, pas një hetimi proaktiv disajavor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, është finalizuar me sukses operacioni i koduar “FAKE TEST”.

Si rezultat i operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasja Kristjana Luka, 25 vjeçe, banuese në Shënkoll, me profesion farmaciste pranë një subjekti privat me objekt veprimtarie farmaci, në Lezhë, si dhe është shpallur në kërkim shtetasja Aurora Ujka, 35 vjeçe, banuese në Lezhë, administratore e këtij subjekti privat farmaci.

Këto shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, në periudha të ndryshme kohore, kanë pajisur shtetas të ndryshëm, me dokumentin shëndetësor përgjigje fiktive të falsifikuar të testit molekular RT PCR për SARS-Cov-2, pa iu nënshtruar më parë kryerjes së testit dhe marrjes së kampionit PCR nga kërkuesit.

Pajisja e tyre bëhej vetëm me dërgimin e dokumentit të identifikimit nga ana e kërkuesit dhe sipas kërkesave të tyre, testi me përgjigje pozitive paguhej 100 euro, ndërsa testi me përgjigje negative paguhej 50 euro. Nga hetimet e deritanishme, dyshohet që me këto teste fiktive janë pajisur rreth 500 shtetas të ndryshëm.

Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë shtetasi Arjan Deda, 49 vjeç, banues në Lezhë, administrator i një subjekti privat biznes, i cili dyshohet se tek biznesi i tij kryente tampon/ testin e SARS-Cov-2, në kundërshtim me procedurat e përcaktuara në ligjin për testin SARS-Cov-2.

Gjatë kontrollit të ambientit, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 vula, 1 aparat telefonik iPhone, certifikata/teste të shtetasve të ndryshëm me rezultate pozitive e negative, si dhe fotokopje dokumentesh identifikimi të shtetasve të pajisur me këto teste fiktive e të falsifikuara.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.