Ballina Vendi Fieri me histori suksesi të biznesit në fushën e bujqësisë dhe agropërpunimit.

Fieri me histori suksesi të biznesit në fushën e bujqësisë dhe agropërpunimit.

1

Prej vitesh Myzeqeja është cilësuar si hambari i Shqipërisë dhe ky etiketim duket se i është kthyer sërish dhe po i shkon për shtat kësaj zone. Kjo pasi prej shumë vitesh falë dhe politikave agrobujqësore dhe iniciativave private janë shënuar rezultate të kënaqshme dhe inkurajuese për vitet në vijim.

Këto ndryshime kanë sjellë zhvillim dhe falë investimeve në infrastrukturë si në drejtim të rrugëve apo dhe kanalizimeve të vaditjes dhe kullimit. Në çdo njësi administrative do të ndeshesh me iniciativa të suksesshme si në drejtim të bujqësisë, blegtorisë, rritjes dhe kultivimit të varieteteve të perimeve dhe frutave, por edhe ato të përpunimit të prodhimit shtazor.

Kështu Remzi Kodheli mund të cilësohet si një fermer i suksesshëm në zonën e Cakrani, i cili prej vitesh ka ngritur një sipërmarrje të përpunimit të qumështit. Nga një zonë problematike nw lëvizje të këmbësorëve dhe mjeteve motorike sot Frakulla është kthyer në një zonë të zhvilluar dhe me potenciale të admirueshme për të ardhmen.

Pak vite më parë në supermarkete do të merrje produkte të përpunuara nga vendet fqinjë që shpesh në gjuhën popullore quhen si gogozhare. Sot Altin Hoxhaj nga Frakulla i është futur botës së biznesit të përpunimit të specit të kuq dhe në këtë sezon puna e tij është përqendruar në drejtim të përpunimit të sasive të fundit me specat dhe domatet e fushës, të siguruara nga fermerët e zonës dhe salcën e përpunuar ka sot një treg të garantuar.️

Por në tryezat familjare fierake nuk mungon as rakia apo edhe verërat të prodhuara me cilësi dhe konkurruese në rajon edhe më gjerë. Një gotë verë nga vera “Faba” padyshim që do të sjellë një kënaqësi të veçantë. Ky prodhim është një tjetër histori e suksesit të Altin Driza, kampionit të verës “Faba” brand “Made in Albania” i cili përfaqëson Fierin në panaire ndërkombëtar. Në sajë të punës dhe djersës së bujkut dhe fermerit fierak, por edhe gjithë fermerëve në gjithë Shqipërinë është arritur rekordit historik i gjysmë miliardëve euro të eksporteve bujqësore.

Në Cakran janë një sërë emrash që vlen të përmenden për punën e tyre plot pasion dhe me rezultate të kënaqshme. Kështu fermeri Xhafo Shehaj është përqendruar në drejtim të prodhimit të perimeve në sera. Ambicia e tij në këtë biznes ka bërë që ai të shtojë sipërfaqet me sera, duke i çuar sot në 8 dynym, ku prodhimet që kultivon i çon për eksport dhe me një çmim të kënaqshëm për të dhe familjen e tij. Ilir Arapaj nga Rreth Libofsha, ka shënuar një tjetër sukses me sipërmarrjen e tij në përpunimin e ullirit, të cilën vit pas viti e ka zhvilluar dhe sot e ka modernizuar fabrikën e tij falë teknologjisë bashkëkohore, ku përpunon mbi 2000 kuintalë ullinj çdo sezon.

Dhe emrat e njerëzve të suksesshme në tokën myzeqare janë të shumtë ku mund të përmendin edhe fermerin e guximshëm dhe punëtor Mili Sako nga fshati Fushë e Topojës i cili përmes sakrificave, punës së palodhur, sot administron mbi 100 ha tokë bujqësore dhe që u vjen në ndihmë me mekanikën e tij sa e sa fermerëve në kohë të korrash. Mes këtyre njerëzve të suksesshëm mund të përmendin edhe Floriant Likën nga Petova e Fierit, i cili vijon traditën e “dinastisë” së serrave me perime të familjes Lika, duke e zhvilluar atë edhe me linjat e prodhimit të ambalazhit (arkave) nga procesi i riciklimit.

Sot bujqësia fierake ka shënuar parametra bashkëkohore duke siguruar jo vetëm plotësimin e tregut vendas, por edhe eksportimin e tyre. Fieri është i njohur për eksportimin e luleshtrydheve, të domateve, bostaneve, kivit etj.

Zgjerimi i tregjeve ka sjellë përfitime për komunitetin e kësaj bashkie duke ndryshuar totalisht situatën e mëparshme. Në Myzeqe toka nuk mbetet djerrë, por në çdo stinë të vitit është e punueshme dhe me rendimente të kënaqshme.

Ato kultivohen si në natyrë të hapur, por edhe në sistemin e serave. Për herë të parë për bujqësinë fierake është shënuar arritja e madhe ndër vite ku vaditja nuk ka qenë problem për fermerët. Këto arritje janë mundësuar falë investimeve që ka bërë bashkia në bashkëpunim edhe me qeverinë qendrore./Tv Kombi