Një tjetër person në kërkim nderkombëtar bie në prangat e Policisë së Fierit. Kapet dhe vihet në pranga një 53-vjeçar i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë Operacionale në DVP Fier, pas informacioneve të marra në rrugë policore për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, organizuan punën dhe bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit Gentian Guda, 53 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me 10 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe me vendimin e datës 29.09.2021 të Gjykatës së Apelit Vlorë, i kanë mbetur për të kryer edhe 2.4 vjet burgim. Në vitin 2015, shtetasi Gentian Guda është kapur në portin e Vlorës, duke tentuar të trafikojë një sasi lëndë narkotike marijuanë në shtetin italian. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.