Ballina Vendi Fermeret heqin dore nga fermat e kermillit!Shkak falimentimi

Fermeret heqin dore nga fermat e kermillit!Shkak falimentimi

3

Disa vite më parë, fermat e kërmillit u lakuan si “minierat” e radhës “së arit”, duke nxitur investime të njëpasnjëshme në këtë fushë. Sot, pas më shumë se një dekadë, shifrat tregojnë se rritja reale ishte e ngadaltë, madje një pjesë e “pionierëve” janë dorëzuar rrugës për arsye të ndryshme. Në një dokument zyrtar, Ministria e Bujqësisë pranon se numri i fermave është në rënie të lirë. Ata pak fermerë në treg shprehen se interesi mbetet i lartë, por hapja e fermave të reja kufizohet nga “frika” e dështimit. Të tjerë që kanë mbyllur këtë aktivitet thonë se mund t’u rikthehen, duke qenë më të kujdesshëm këtë herë me investimin. Operatorët shprehen se janë disa arsye pse investimi te kërmilli ka dështuar, duke nisur nga planet e pamenduara mirë të biznesit, mungesa e përvojës e deri te problemet me tokën dhe moskoordinimin mes fermerëve të të njëjtit profil

Ministria e Bujqësisë: Numri i fermave të kërmillit, në rënie

Disa vite më parë, numri i atyre që vendosën të investonin në një fermë kërmilli shënoi rritje të ndjeshme nën “joshjen” e një biznesi me fitim.

Por gjatë rrugës, jo pak u zhgënjyen duke e braktisur si aktivitet dhe sot, sasia e kultivuar mbetet modeste. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se numri i fermave është tashmë më pak se pesë dhe po shkon drejt uljes, ndërsa eksportet janë rreth 400 tonë.

“Kultivimi i kërmillit është i orientuar kryesisht nga eksporti. Vendi po prodhon 400 tonë kërmij. Ka pak fermerë që kultivojnë kërmij dhe shitja e tij bëhet me çmim 4 euro për kg. Rendimenti është 12 tonë për hektar. Operatorët janë nga Durrësi dhe Fieri. Edhe pse prodhimi i kërmillit ka disa nënprodukte, pjesa më e madhe janë kërmijtë e freskët. Aktualisht kultivimi është thuajse i papërfillshëm” – thuhet në dokumentin e Ministrisë.

Sipas të njëjtit studim, tregu i kërmijve është i orientuar kryesisht drejt eksportit të vjeljes së të egrit, ndërsa kultivimi aktualisht ndiqet nga dy operatorë. Tregu ka një vlerë të përafërt prej 400 mijë eurosh që eksportohet. Në terma të volumit, vlera e eksportit është në stanjacion. Pjesa kryesore e eksportit është drejt industrisë kozmetike, ndërsa një pjesë tjetër e prodhimit shitet edhe në tregun e brendshëm. Restorantet i kanë blerjet e tyre direkte për kërmij që nuk janë të kultivuar, por të mbledhur në natyrë. Sot nuk ekziston një treg i brendshëm për kërmijtë për qëllime joushqimore.

“Kultivimi i kërmillit ka nevoja për frigoriferë, rrjeta dhe struktura për fermat, makineri të vogla për përgatitjen e tokës. Megjithatë, gjatë viteve të fundit, një pjesë e madhe e operatorëve të sektorit kanë mbyllur aktivitetin dhe numri i fermave është zvogëluar nga më shumë se 10 deri në më pak se 5” – thuhet në dokument.

Dokumenti sqaron se në rastin e kërmijve kërkohen pak investime përveç mbështetjes me ngritjen e kapaciteteve dhe informacionin për tregun. Gjithashtu kërkohet rritje e qëndrueshme në kapacitetin menaxhues dhe njohuritë teknike, si dhe mbështetje për rritjen e aksesit në tregje.

Arsyet pse fermat e kësaj natyre po pakësohen në vend

Nuk ka asnjë anketë të mirëfilltë për të kuptuar arsyet pse fermat e kërmillit që njohën rritje pak vite më parë po shkojnë drejt “zhdukjes”. Operatorë dhe ish-operatorë të tregut pohojnë se mund të jenë disa arsyet që kanë sjellë këtë rezultat.

Së pari, ata përmendin si shkak investimin e pamenduar mirë, gjë që do të thotë se kanë hyrë në treg, duke mos përzgjedhur me kujdes llojin e kërmillit, nuk kanë pasur njohuritë e duhura për rritjen dhe nuk kanë zbatuar teknologjinë me përpikëri ose sipërfaqja e fermës ka qenë relativisht e vogël.

Së dyti, është bërë e vështirë gjetja e punonjësve në përgjithësi në bujqësi dhe aq më tepër në një sektor delikat si ky.

Së treti, një shkak mund të jetë toka në të cilën është ngritur ferma. Një pjesë e atyre që i kanë hyrë këtij investimi janë emigrantë që kanë ngritur këtë aktivitet për të punësuar të afërmit por kanë hyrë në marrëdhënie me kontratë për tokën. Kjo kontratë mund të ketë mbaruar apo mund të kenë pasur probleme dhe kjo ka sjellë braktisjen e investimit.

Një tjetër arsye është mosorganizimi apo moskonsolidimi si grup interesi i fermerëve të këtij profili për të krijuar kushte lehtësuese në treg, të cilat lidhen me grumbullimin apo eksportet.