Ballina Rajoni Eskobar vizitë në Serbi e Kosovë

Eskobar vizitë në Serbi e Kosovë

1


I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, më 15 mars do të vizitojë Serbinë. Në Beograd, Escobar është paraparë të zhvillojë takime të ndara me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe me kryeministren serbe, Ana Bërnabiç. 

Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Serbi do të zhvillohet tre ditë para rundit të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Po ashtu, Escobar do të qëndrojë në Beograd pas vizitës dyditore të emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili, po ashtu javën e kaluar qëndroi në Kosovë, për të përgatitur takimin e Ohrit. 

SHBA-ja mbështet procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Uashingtoni po ashtu mbështet propozimin evropian për normalizimin e raporteve, i cili është pranuar më 27 shkurt nga Kosova dhe Serbia. 

Në takimin e 18 marsit pritet që Kosova dhe Serbia të bisedojnë për zbatimin e këtij propozimi. Kurti është shprehur i gatshëm që në Ohër, nën ndërmjetësimin e BE-së, të nënshkruajë marrëveshjen, por Vuçiq ka deklaruar se nuk i shkon në mendje që ta nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”. Megjithatë, Lajçak deklaroi më 14 mars se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është kushti kryesor për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.  

Për Asociacionin, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje më 2013 dhe 2015. 

Por, më 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja e po atij viti nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit dhe tha se mund të harmonizohet. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një asociacioni njëetnik, me kompetenca ekzekutive.