Arizona vrau një të burgosur me injeksion vdekjeprurës të mërkurën – 35 vjet pasi ai u dënua për rrëmbimin dhe vrasjen e një vajze 8-vjeçare në Tucson, raporton noa.al duke cituar Arizona Daily Star.
Frank Atwood, 66 vjeç, u ekzekutua për vdekjen më 1984, të Vicki Lynne Hoskinson, të cilën e rrëmbeu dhe e vrau ndërsa ishte në lirim me kusht për akuza të mëparshme për rrëmbim, tha Prokurori i Përgjithshëm i shtetit, Mark Brnovich.
“Një fëmijë i pafajshëm të cilit iu mor jeta brutalisht dhe një familje që i është dashur të durojë dekada vuajtjesh, e pra, këtë ngjarje, banorët e Arizonës nuk do ta harrojnë kurrë,” tha Brnovich në një deklaratë.
Sot, ne kujtojmë Vicki Lynne dhe qëndrojmë së bashku me të dashurit e saj dhe komunitetin Tucson ndërsa kërkimi i tyre i palëkundur për drejtësi është realizuar më në fund.”
Vicki Lynne u rrëmbye teksa po udhëtonte me biçikletë pranë shtëpisë së saj më 17 shtator 1984, teksa kthehej nga kutia postare ku futi një kartolinë ditëlindjeje për tezen e saj.
Atwood e vrau të voglën, më pas e hodhi trupin e saj në shkretëtirë dhe iku në Teksas, tha prokurori Brnovich. Një alpinist gjeti trupin e dekompozuar të vajzës shtatë muaj më vonë.
Atwood ishte dënuar më herët për rrëmbimin e dy fëmijëve në Kaliforni dhe u transferua në Tucson disa ditë para vrasjes, duke thyer lirimin e tij me kusht, tha prokurori i përgjithshëm.
Vrasësi, i cili u dënua në vitin 1987, vdiq në orën 10:16 pasi iu injektua pentobarbital. Nëna e Vicki Lynne, Debbie Carlson, njerku, George Carlson dhe anëtarë të tjerë të familjes ishin dëshmitarë të ekzekutimit.
E pranishme ishte gjithashtu gruaja e të burgosurit. Ata u martuan në burg në 1991 pas dënimit të tij.
Vdekja e Atwood vjen vetëm një muaj pasi shteti ekzekutoi Clarence Dixon, njeriu i parë i dënuar me vdekje në shtet që nga viti 2014. Shteti e kishte ndalur dënimin me vdekje pas ekzekutimit të Joseph Wood në korrik 2014. Kjo ndodhi atëherë sepse të burgosurit i injektuan 15 herë ilaç vdekjeprurës, por ai nuk vdiste dhe vetëm pas vuajtjesh mase dy orë, ndërroi jetë.
Aktivistët janë të shqetësuar se Arizona do të fillojë të shtojë ekzekutimet e të burgosurve të dënuar me vdekje pas pauzës së gjatë.
Zyrtarët e shtetit nuk iu përgjigjën kërkesës së Associated Press për koment mbi planet e saj të ardhshme.
Janë 111 të dënuar me vdekje në Arizona, ki për 22 vetë kanë shteruar të gjitha apelimet e tyre ligjore. /noa.al