Policia në Korenë Jugore ka thënë se e ka arrestuar gruan në qytetin Ulsan, në bazë të një fletë-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Zelanda e Re.
Një gjykatë do të vendosë brenda dy muajsh nëse ajo do të ekstradohet.
Autoritetet në Zelandë të Re u kanë kërkuar autoriteteve koreanojugore që ta mbajnë gruan në burg, derisa të merret vendimi për ekstradim.
“Për të siguruar arrestimin e dikujt jashtë shtetit, në një periudhë kaq të shkurtër, është nevojitur një bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet koreane dhe stafin e policisë së Zelandës së Re”, ka thënë inspektori, Tofilau Fa’amanuia Vaaelua përmes një deklarate.
Trupat janë gjetur muajin e kaluar, pasi një familje në Zelandë të Re ka blerë mallra të braktisur, duke përfshirë dy valixhe, në një ankand online.
Policia ka thënë se familja që i ka gjetur viktimat, nuk ka të bëjë asgjë me vdekjet.
Trupat e vdekur të fëmijëve të moshave pesë dhe 10 vjeç, kanë qëndruar në valixhe për disa vjet, pasi valixhet kanë qenë në një magazinë për të paktën tre apo katër vjet, ka thënë policia.
Policia në Korenë Jugore ka thënë se gruaja e arrestuar ka lindur në Korenë Jugore dhe më vonë është shpërngulur në Zelandën e Re, ku ka fituar shtetësinë.
Më 2018, ajo është kthyer sërish në Korenë Jugore.
Policia në Korenë Jugore ka thënë se dyshohet që gruaja e arrestuar mund të jenë nëna e dy fëmijëve, pasi adresa e saj sa ka jetuar në Zelandë të Re, ka qenë në magazinën ku kanë qëndruar valixhet me vite./REL