Ballina Lajme Dyshohet se vranë policin e FNSH, shkaku i atentatit me tre viktima,...

Dyshohet se vranë policin e FNSH, shkaku i atentatit me tre viktima, kush ishte objektivi

1

Hakmarrja dyshohet se ka qenë shkak i atentatit të sotëm (17 korrik) me 3 viktima në mbikalimin e Fushë-Krujës.

Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata, 30 vjeç u ekzekutuan me breshëri plumbash pasditen e stome.

Vata u gjet i vrarë jashtë makinës në tentativë për tu larguar, ndërsa dy viktimat e tjera u gjetën të shkrumbuar pasi makina shpërtheu në flakë. Ishin të afërmit e Diklen Vatës që konfirmuan se 30-vjeçari ndodhej në makinë me Martinaj dhe Hoxhën, por do të jetë AND-ja që do të vërtetojë identitetin.

Gazetari i Abc, Leonidha Musai mëson se Brilant Martinaj dyshohet se ka qenë autor i vrasjes së efektivit të FNSH, Xhuliano Prela ngjarje e ndodhur në 2020.

Më 20 dhjetor 2020, policia arrestoi  Nikoll Sherrniku, asokohe 21 vjeç si autor të dyshuar të vrasjes së Xhuliano Prelës, ndërsa Brilant Martinaj u shpall në kërkim ndërkombëtare.

Vrasja ndodhi pas një konflikti të çastit më 5 dhjetor 2020 për motive të dobëta.

Gazetarja e Abc, Xhensila Kodra mëson se Brilant Martinaj dyshohet se është gjithashtu autor i vrasjes së ish-policit Xhelal Reçi më 1 nëntor të vitit 2021. Xhelal Reçi mbeti viktimë, pasi u qëllua me armë pranë biznesit të tij në Laç. 60-vjeçari ishte babai i Besnik Reçit, të cilit iu bë atentat 2 vite më parë.

Për asnjë nga ngjarjet nuk ka pasur prova për Brilant Martinajn.

Kur ndodhi ngjarja 

Tre persona u ekzekutuan me breshëri plumbash rreth orës 14:54 në mbikalimin e Fushë-Krujës. Dyshohet se autorët kanë qëlluar në drejtim të një automjeti tip “Volswagen Passat” rreth 50 herë. Si pasojë automjeti mori flakë dhe u shkrumbuan 2 nga personat që mbetën të vrarë Brilant Martinaj dhe Besmir Hoxha. Diklen Vata u gjet i vrarë jashtë automjetit. Ai ishte pasagjer në mjet dhe ka tentuar të largohet, por autorët janë kthyer dhe e kanë ekzekutuar.

Makina e djegur

Rreth gjysmë ore pas masakrës me tre të vrarë, në Larushkë, është gjetur duke u djegur një automjet tip “Volswagen Passat” që dyshohet se është i autorëve.

Në brendësi të automjetit është konstatuar një armë zjarri automatike që dyshohet se është përdorur nga autori/ët për të kryer krimin.

Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar grupe të FNSh Tiranë dhe janë ngritur pika kontrolli nga DVP Tiranë e Lezhë.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, po punon për identifikimin e dy shtetasve të djegur në automjet dhe për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e cdo prove të vlefshme që do ti shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorëve./Abcnews.al/