Ballina Sport Dritan Shakohoxha betejë ligjore për FSHF-në, kallëzon për shkelje sekretarin Ilir Shulku...

Dritan Shakohoxha betejë ligjore për FSHF-në, kallëzon për shkelje sekretarin Ilir Shulku dhe avokatin Aldi Topçiu

2

Dritan Shakohoxha, i cili është kandidat për President në FSHF, ka kallëzuar penalisht Sekretarin e përgjithshëm të FSHF, Ilir Shulkun dhe shefin e Departamentit Ligjor të kësaj organizate, Aldi Topçiun. Sipas kallëzimit të bërë nga Shakohoxha, Shulku dhe Topçiu kanë firmosur në kundërshtim me ligjin që të vazhdojë organizimin dhe mbajtjen e Asamblesë Zgjedhore të FSHF më 2 mars.

Shakohoxha i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës dhe Policisë së Shtetit që të ndërhyjnë për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës që ka vendosur pezullimin e Asamblesë Zgjedhore derisa të mbyllen çështjet gjyqësore që kanë lidhje me Shoqatat rajonale dhe zgjedhjet e kontestuara të tyre.

Akuzat ndaj Shulkut dhe Topçiut janë “pengimi për ekzekutimin e vendimit të gjykatës”, “veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” si dhe “shpërdorim detyre”.

Pavarësisht vendimit të Gjykatës për ndërprerjen e procedurave të zhvillimit të Asamblesë Zgjedhore të 2 marsit, Shulku e Topçiu kanë vijuar normalisht me përgatitjet dhe duke lajmëruar anëtarët për listat e delegatëve, që kanë dalë nga zgjedhjet e kontestuara si tërësisht të manipuluara në Shoqatat Rajonale.

Në 2 mars nuk do të ketë zgjedhje për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit pasi Gjykata ka pezulluar garën e 2 marsit deri në shqyrtimin e padive të Shoqatave Rajonale për manipulim të procesit, e më konkretisht të shoqatës së Durrësit, Gjirokastrës dhe Shkodrës, ndërsa edhe Fieri e Korça kanë patur kundërshti të forta, por nuk ngritën padi.