Ballina Vendi “Do bëja darkën, më tha ik nga lavamani, pastaj më hodhi në...

“Do bëja darkën, më tha ik nga lavamani, pastaj më hodhi në tokë”, historia e dy të moshuarve nga Fieri të divorcuar, që jetojnë mes sherreve në një banesë

2
Imoshuar Azil

Ata janë një çift që rritën së bashku tre fëmijë. Jetojnë në qytetin e Fierit dhe ajo që i ndau ishte dhuna. Por ndonëse gjykata i divorcoi dhe gruaja ndërkohë ishte me urdhër mbrojtjeje, çifti takohej shpesh në kuzhinë ku dhe shpërthente sherri e më pas dhuna. I moshuari ngrinte dorë ndaj ish-gruas, djali i madh ndërhynte dhe rrihte të atin. Kjo ndodhte rregullisht derisa gruaja vrapoi serish në policinë lokale.

Por të dy të moshuarit të ndarë tanimë, qëndronin në të njëjtën hapësirë prej 73 metra katrorë. Për të shmangur agravimin e situatës, gjykata e Fierit ka urdhëruar që i moshuari i dhunshëm të dërgohet në një azil ku dhe duhet t’i nënshtrohet edukimit.

Fashikulli gjyqësor ju dha Gazetasi.al, nga burime që vërtetojnë se si rastet e dhunës dhe urdhrat e mbrojtjes janë jo efektivë, atëherë kur nuk ka zgjidhje për strehën e njërës nga palët.

Jetonin në të njëjtën banesë
Për rastin më të fundit e moshuara tregon se si secili nga partnerët që kishte mbajtur nga një dhomë dhe djali hante bukë nga e ëma dhe flinte në dhomë me të atin, nuk mundi ta minimizojë problematikën.

“Ish burri më tha ik nga lavamani se do bëj darkën. Unë i thashë ti e hëngre darkën. Në këtë kohë më goditi dhe unë rashë në tokë. Ai me ka vënë kusht që të iki nga shtëpia ose do të nxjerr prej flokësh. Para një muaji ai më qëlloi, por unë nuk mora raport mjekësor.

Gjykata e ka dënuar njëherë dhe e ka larguar me 6 muaj nga shtëpia se më dhunoi prapë kur doli nga burgu. E theu urdhrin e mbrojtjes, pasi erdhi përsëri në shtëpi. Ne kemi pasur konflikte të vazhdueshme me njëri- tjetrin. Ai më shan gjithmonë, unë shkoj në lavaman ai vjen në lavaman, shkoj në ballkon, ai vjen në ballkon”, ka deklaruar në polici e moshuara.

Por gjykata e Fierit thotë se i moshuari nuk e ka paralajmëruar që do ta nxirrte nga shtëpia dhe për këtë bazohet tek dëshmia e djalit. Ky i fundit i shqetësuar ka pranuar marrëdhënien tejet të acaruar të prindërve të moshuar.

Teksa as gjykata dhe as burgosja nuk patën rezultat në edukimin e ish bashkëshortit të gruas me inicialet D.S ,duke konsideruar se 70-vjeçari shkeli urdhrin e mbrojtjes, kundërshtoi vendimet e gjykatës dhe përsëriti dhunë, urdhëroi që ai të dalë nga shtëpia.

Këtë urdhër 70-vjeçari e quan një grackë nga e moshuara që sipas tij e provokonte që të humbiste qetësinë me qëllimin e vetëm që të ushtronte dhunë e të dënohej serish.
Gjykata thekson se gruaja me inicialet D.S i dha fund martesës atëherë kur marrëdhëniet midis tyre jo vetëm që nuk ishin më të mira, por pa se bashkëshorti vazhdonte të mbante të njëjtin qëndrim të nisur kur fëmijët ishin në moshë madhore.

Dhunuesi: Ne jemi të ndarë
Por 70-vjeçari i kujton gjykatës se ai është sëmurë dhe se ish-gruaja e bëri denoncimin në bashkëpunim me njërin nga fëmijët. Sipas tij kjo për të realizuar nxjerrjen e tij nga banesa e për pasojë mos kujdesjen ndaj tij.

Sipas burimeve, 70-vjeçari këmbëngul se dikur i jepte shuplaka të shoqes, por tanimë që djali është rritur nuk e prekte me më dorë. Kjo për faktin se ka frikë nga djali se mos e rreh siç kishte vepruar në disa raste.

“Më mori inspektori i policisë në telefon dhe me tha që ka ardhur ish-bashkëshortja dhe ka bërë një denoncim dhe duhet të vish në Komisariat. Nuk është e vërtetë që unë kam ushtruar dhunë ndaj paditëses. U ktheva në shtëpi në orën 12:30 dhe mora ushqimet e mia në frigorifer dhe hëngra drekë.

Më pas rashë të flija gjumë dhe u ngrita në ora 6:10 pasdite. Kur unë hëngra darkë në kuzhinë nuk kishte njeri dhe në këtë kohë mora një tenxhere. Do ta vija në sobë për të gatuar sepse gatuaj vetë dhe më kanë ndarë”, ka deklaruar i moshuari.

Ky shtetas madje në dëshminë e tij, pretendon se kishte marrë masa personale ndaj të birit atëherë kur ky në një rast e kishte rrahur babain.

“Unë djalin e madh e kam proceduar para 6-ditësh, pasi ai me qëlloi. Nuk e kam shtyrë paditësen, po ajo më shkeli padashur shapkën time dhe ra. Unë kam kaluar shumë mirë me paditësen dhe arsyeja pse e kam ndarë është se nuk më bindet. Atë ditë djali ishte në ballkon dhe ishte prezent në provokimin që më bëri gruaja dhe po ta kisha qëlluar, ai do më kishte rrahur”,- këmbëngul ai.

Gjykata e këtij qyteti vlerëson se jo vetëm kryefamiljari duhet të largohet serish nga shtëpia, por ai është i detyruar me vendim gjykate që të edukohet në programe psikosociale.

E gjitha kjo që ai të mësojë si të vetëpërmbahet dhe si të sillet edhe atëherë kur të tjerët nuk janë dakord me të. Ndonëse e njëjta gjykatë pranon se klima e acaruar u krijua mbas divorcit të të moshuarve, që vazhduan dhe jetuan nën të njëjtën çati.

Gjykata ka urdhëruar përgjegjësit e programit të rehabilitimit të raportojnë përpara koordinatorit vendor kundër dhunës në familje në Bashkinë Fier. Ata duhet të raportojnë mbi pjesëmarrjen e të paditurit në program dhe ecurinë e tij, në mënyrë periodike si dhe në përfundim të programit në të cilin të përfshihen rezultatet e rehabilitimit të dhunuesit.

Sipas gjykatës nëse dhunuesi nuk merr pjesë në program, përveç rasteve kur ka arsye objektive dhe shkaqe të përligjura për mospjesëmarrjen, atëherë me kërkesë të mbledhjes ad hoc të mekanizmit të koordinuar të referimit të rasteve të dhunës në familje ose të subjekteve të parashikuara nga neni 13 i Ligjit Nr. 9669/2006, zbatohen dispozitat e Kodit Penal, për veprime të kryera në kundërshtim me vendimin e gjykatës për urdhrat e mbrojtjes.”

Në këtë pikë i moshuari insiston se gruaja i bëri puç, së bashku me djemtë që mos të përfitojë nga shtëpia e përbashkët.

“Kjo formë e gjetur prej ish-bashkëshortes dhe djalit, është marrë në mënyrë që të më largojnë nga shtëpia dhe të më mohojnë kontributin që kam dhënë, ku edhe mobiliet dhe çdo gjë është me punën dhe djersën time”, shton i moshuari.

Por gjykata këmbëngul se ai jo vetëm duhet të dalë nga banesa ku ai rezulton pronar, por që gjithashtu në rast se nuk ka kush ta mbajë, mbasi nuk ka shtëpi tjetër, të strehohet në një azil./GazetaSi