Gazetari Bledi Mane ka reaguar ashpër mbi atë që e cilëson një ‘skandal diplomatik’. Çantat e shtrenjta Alviero Martini kanë hequr Shqipërinë nga harta e Evropës dhe e Botës.
Siç mund të shihet edhe nga fotot në Web-in zyrtar të markës së njohur, Shqipëria nuk figuron në hartën e dizejnuar mbi çantë, por është coptuar mes Jugosllavisë dhe Greqisë.
Në statusin e tij, Bledi u kërkon shqiptarëve ta refuzojnë blerjen e këtij stilisti që e cilëson si ‘matrapaz’ ndërsa thotë se qeveria shqiptare duhet të protestojë urgjentisht ndaj kompanisë së modës dhe shtetit italian ku gatuhet dhe prodhohet!
Reagimi i plotë
POSHTËRUESE DHE SKANDAL DIPLOMATIK/ Çantat e shtrenjta Alviero Martini zhdukin Shqipërinë nga harta e Evropës dhe e Botës
***
Kurrë nuk ka qenë Shqipëria pjesë e Jugosllavisë, kurrë më parë territori shqiptar nuk ka qenë i ndarë si me thikë mes Jugosllavisë dhe Greqisë. Ajo çka ka qenë ngulitur në mendjet e shovinistëve serbo-grekë për qindra vjet nuk u realizua kurrë në realitet por një stilist italian ka vite që e materializoi.
Alviero Martini, konceptuesi dhe realizuesi i çantave, portofolëve, atleteve të shtrenjta të dizajnuara me harta të ndryshme vjen me një kërcënim serioz poshtërues dhe deformues. Ka fshirë nga harta e Evropës vendin e kombit më të vjetër Shqipërinë dhe e ka coptuar mes Jugosllavisë tashmë të shkërmoqur dhe Greqisë. Si i pari gazetar që po ulëras për këtë skandal diplomatik u kërkoj shqiptarëve ta refuzojnë blerjen e këtij stilisti matrapaz ndërsa qeveria shqiptare duhet të protestojë urgjentisht ndaj kompanisë së modës dhe shtetit italian ku gatuhet dhe prodhohet ky monstruozitet!