Ballina Lajme Bylykbashi dorëzon projektligjin për Reformën Territoriale: Propozojmë 97 bashki.

Bylykbashi dorëzon projektligjin për Reformën Territoriale: Propozojmë 97 bashki.

1

Nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi ka dorëzuar projektligjin për Reformën Territoriale. Në një deklaratë për mediat, teksa e konsideroi reformën territoriale të 2014 si një “dështim me kosto të madhe”, Bylykbashi bëri me dije se ata propozojnë ndarjen në 97 bashki.

Reforma e 2014 është dështim me kosto të madhe për zhvillimin e bashkive dhe komuniteteve. Propozimi ynë është që zgjedhjet e ardhshme të bëhen në bazën e kësaj ndarje me 97 bashki dhe numri i bashkive që propozojmë është ai që i jep hapësirën më të madhe komuniteteve lokale. Propozimi ynë do të ndjekë rrugën legjislative, kërkon 84 vota. Në këtë moment propozojmë 97 bashki”, tha Bylykbashi.

Nënkryetari i PD u ndal edhe te propozimi i Enkelejd Alibeaj, për 94 bashki, ku tha se është mundësia për të gjetur gjuhën e përbashkët për një version përfundimtar.

Është edhe një tjetër draft me 94 bashki, mundësia për të gjetur gjuhën e përbashkët është aty sepse parimet dhe kriteret që kemi, kanë provuar të njëjtin rezultat. Unë besoj që është shumë e thjeshtë që në procesin legjislativ të gjejmë një version përfundimtar”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, mazhoranca i qëndron ndarjes aktuale, 61 bashki dhe 12 qarqe.

/rtsh.al/