Ballina Lajme Britania dhe Franca marin masa për të ndaluar emigrimin e shqiptarëve drejt...

Britania dhe Franca marin masa për të ndaluar emigrimin e shqiptarëve drejt Anglisë

1

Paris- Marrëveshja u arrit. Anglia dhe Franca do të rrisin përpjekjet për të ndalur emigrantët që mundohen të kalojnë në Britaninë e Madhe me gomone nëpërmjet kanalit.

Ditën e sotme dy shtetet e fuqishme evropiane kanë arritur një marrëveshje për të rritur me 40% numrin e oficerëve të policisë, që patrullojnë plazhet në veriun e Francës.

Kjo është një përpjekje direkte për të ulur valën e atyre që kalojnë Kanalin me gomone, një pjesë e mirë e të cilëve janë shqiptarë. Gjithashtu, në stafin e rojeve kufitare franceze do të ketë edhe punonjës të specializuar nga Britania.

Jo vetëm kaq, por për të evidentuar emigrantët e paligjshëm apo manovrat që ata bëjnë, do të përdoren edhe ekipet e zbulimit, qentë e specializuar, si dhe dronë specifikë për të parë edhe natën gjithçka që ndodh. Do të ketë një investim shtesë edhe për kamera sigurie.

Të gjitha këto masa hyjnë në fuqi në mënyrë direkte. Marrëveshjen e ka firmosur Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman dhe ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, në një takim mes tyre paraditën e sotme.

Gjithashtu do të krijohet një grup i ri pune për të trajtuar rritjen e madhe të muajve të fundit të shqiptarëve që kalojnë Kanalin dhe grupeve të krimit të organizuar që shfrytëzojnë rrugët e paligjshme të emigrimit.

Këtë lëvizje të Suella Braverman, e cila dha deklaratën e bujshme mbi shqiptarët, një pjesë e opinionit publik e ka kritikuar. Jo për masat që janë marrë, por për koston që kjo marrëveshje do t’i shkaktojë vendit. Për të vënë në zbatim këto masa, Britania e Madhe do t’i japë 63 milionë paund Francës, kundrejt 54 që jepte më parë.

Qytetarët anglezë, të ndodhur në një krizë për shkak të luftës në Ukrainë kërkojnë që paratë të menaxhohen në mënyrë sa më të mirë dhe investimet e qeverisë për trajtimin e emigrantëve ata gjithnjë i kanë kundërshtuar, madje kjo ka krijuar edhe një lloj inati të tyre ndaj emigrantëve që përpiqen të shkojnë në Angli në rrugë të paligjshme.