Ballina Lajme Braktisi vajzat e mitura të kërkonin azil në Suedi, procedohet penalisht 36-vjeçarja

Braktisi vajzat e mitura të kërkonin azil në Suedi, procedohet penalisht 36-vjeçarja

1

Një 36-vjeçare është arrestuar në Rinas pasi ka braktisur dy vajzat e saj të mitura në Suedi. Policia thotë se ajo i ka braktisur fëmijët, me qëllim që këto të fundit të kërkonin dhe të përfitonin azil në Suedi. Dy vajzat e mitura janë sjellë në Tiranë. Ndërkohë kanë nisur hetimet për shtetasen 36 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.

Njoftimi i Policisë: 

Policia Kufitare e Rinasit ka intensifikuar masat për evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të atyre shtetasve që braktisin fëmijët e mitur, në vendet e BE-së apo në vende të tjera, me qëllim azilkërkimin.

Procedohet penalisht një 36-vjeçare, pasi braktisi në Suedi, 2 vajzat e saj të mitura (13 dhe 15 vjeçe), me qëllim që të kërkonin azil në këtë shtet.

Policia Kufitare e Rinasit, në vijim të punës për parandalimin e azilkërkimit dhe braktisjen e fëmijëve apo familjarëve të mitur, në vendet e BE-së apo në vende të tjera, me qëllim azilkërkimin, ka intensifikuar punën për kontrollin e imtësishëm të dokumentacionit për të udhëtuar dhe intervistimet për arsyen dhe qëllimin e udhëtimit jashtë vendit apo të atyre që kthehen në Shqipëri, duke braktisur fëmijët apo familjarët e mitur, me qëllim kërkimin e azilit.

Si rezultat, është evidentuar një rast i braktisjes së fëmijëve të mitur, në vendet e BE-së, me qëllim për të kërkuar azil. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen D. Ç., 36 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se kjo shtetase ka braktisur në Suedi, 2 vajzat e saj të mitura (13 dhe 15 vjeçe), me qëllim që të kërkonin dhe të përfitonin azil, në këtë shtet.

Në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet policore në Suedi, 2 shtetaset e mitura janë kthyer në Shqipëri.

Policia Kufitare do të vijojë kontrollet në të gjitha pikat e kalimit, për dokumentacionin, si dhe intervistime për përmbushjen e kushteve për lëvizjen drejt vendeve të BE-së apo vendeve të tjera, për të gjithë qytetarët.

Gjithashtu, do të vijojë bashkëpunimi i ngushtë me homologët e të gjitha vendeve të hapësirës SCHENGEN e më gjerë, për verifikimin, identifikimin dhe ndëshkimin ligjor të të gjithë atyre që braktisin të miturit, për qëllime azilkërkimi.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët të mos ndërmarrin asnjë veprim që ka si qëllim azilkërkimin, pasi shanset për të fituar atë janë zero. Policia e Shtetit është e vendosur për të ndëshkuar ligjërisht të gjitha rastet e braktisjes së fëmijëve të mitur, jashtë vendit, me qëllim azilkërkimin.