Ballina Vendi Berisha: Protesta e 11 shkurtit nuk do të jetë e vetmja

Berisha: Protesta e 11 shkurtit nuk do të jetë e vetmja

1

Në një takim me krerët e degëve, kreu i PD i zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha bëri të ditur se aksioni opozitar përmes protestave do të jetë i fuqishëm dhe do të vijojë deri në largimin e qeverisë.

Protesta kombëtare e 11 shkurtit nuk do të jetë e vetmja, ndërsa Berisha tha se revolta do të jetë në të gjitha format, në sheshe dhe institucione, si në rastin e seancave plenare por edhe tubimeve para Kryeministrisë dhe Parlamentit.

“Ne kemi nisur betejën në parlament, kemi thirrur protestën në datën 11 shkurt dhe hymë në një fazë përfundimtare të largimit të Edi Ramës nga pushteti. Ne do të gërshetojmë dhe kombinojmë të gjitha format e përpjekjeve në këtë betejë. Revoltat në sheshe, rrugë, institucione dhe kudo. Qëndresa në parlament, hetimi parlamentar. Koha thërret popullin opozitar të gjendet në orën e tij. Ora më e rëndësishme në misionin tonë. Ndërkohë ne nuk shmangim, përkundrazi bashkërendojmë çdo përpjekje për 14 majin si një ditë fitoreje për kandidatët tanë të lirisë. Në pamje të parë është komplekse, por misioni kërkon të gjitha këto. Misioni kërkon që ne të bëjmë të gjitha përpjekjet për një sukses të vërtetë të PD-së me 14 maj, për largimin e Edi Ramës dhe rikthimin e votës së lirë shqiptarëve. Pra, detyrë jo e lehtë, por absolutisht e realizueshme. Jam i bindur se në këtë mision, PD do të fitojë, opozita shqiptare do të fitojë.

Koha është krej tjetër, koha ka ndryshuar, në kuptimin që jo vetëm protesta e planifikuar që duhet të ketë përgjigjen më maksimale, me datën 11 shkurt duhet të mobilizohet çdo demokrat e demokrate. Duhet të mobilizohet si asnjëherë më parë, për protestën në Tiranë. Tirana gjithashtu duhet të derdhet e tëra në shesh, Shqipëria duhet të vërshojë drejt Tiranës.  Por ne jemi në revoltë, jemi në protestë, ky është revolucion”, tha Berisha.

Lidhur me bllokimin e Foltores së parlamentit, Berisha e argumenton se demokraët “ nuk ja dorëzojnë Ramës tempullin e demokracisë”. Për Berishën rezistenca e demokratëve duhet të jetë edhe para parlamentit me protesta të vazhdueshme.

“Shqiptarët duhet ta dinë se parlamenti shqiptar është më i shëmtuar sot se kurrë, më i cunguar se kurrë. Është një parlament ku shkelet kushtetuta çdo ditë. Është një parlament ku vendoset në mënyrë banditeske nën urdhrat e Ramës çdo ditë. Është një parlament ku dhunohen çdo ditë të drejtat e të zgjedhurve nga qytetarët shqiptarë.

Ne jemi të vendosur të mos e braktisim atë kurrë. Por ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që zëri i qytetarëve shqiptarë të dëgjohet në parlament. Natyrisht demokrate e demokratë, duhet të jenë të gatshëm në çdo kohë për protesta të fuqishme para parlamentit.  Nuk u dorëzohet tempulli i demokracisë kriminelëve të llojit, Taulant Balla, Edi Rama, etj. Jo ai është i qytetarëve. Nuk mund të pranojnë të zgjedhurit e popullit të shtypen të drejtat e tyre, sepse po pranuan këtë ata pranojnë shtypjen e të gjithë qytetarëve. Ju siç e shihni, ata sillen si një bandë.

Ata bllokojnë, nuk sjellin në parlament në tërësi ligjet tona. Ata bllokojnë komisionet tona hetimore, çka nuk ndodh në asnjë parlament të botës. Deputetët tanë, ne jemi të vendosur, bllokimit të tyre ti përgjigjemi me një qëndresë dhe të pamposhtur në parlament. Degët e Tiranës duhet ta kenë të qartë se protestat para parlamentit duhet të jetë e gatshme në çdo kohë. Se parlamenti nuk mund të funksionojë si një klub i Edi Ramës, jashtë rregullave, jashtë kushtetutës”, tha Berisha.

/rtsh.al/