Ballina Vendi Berisha brenda, Alibeaj jashtë: Si do të votohet nesër në Kuvend kandidati...

Berisha brenda, Alibeaj jashtë: Si do të votohet nesër në Kuvend kandidati i Ramës për President

1

Partia Demokratike me në krye Sali Berishën do të marrë pjesë nesër në seancën e votimit të Presidentit të Ri të Republikës. Ajo pjesë e opozitës do të jetë prezente, por do të votohet kundër çdo kandidati të propozuar nga mazhoranca. Të paktën kështu e bëri të ditur Sali Berisha, në konferencën e përjavshme për mediat, të premten paradite.

Lideri historik i demokratëve tha se mazhorancës nuk ia njohin legjitimitetin pasi në pushtet erdhi përmes “masakrës zgjedhore të 25 prillit.” Zgjidhja e vetme sipas tij do të ishte një kandidat i propozuar nga opozita.

Kurse, pjesa më e madhe e Grupi Parlamentar të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj nuk do të jetë prezente në Paralament. Alibeaj tha për mediat, se detyrimet morale dhe politike ndaj qytetarëve ata i përmbushën duke u bërë pjesë e procesit, por për ta, nuk bën sens që nesër të jenë prezent në Raundin e Katërt. Në të kundërt, shtoi Alibeaj, do të ishte si të legjitimohet “kapja e mazhorancës nga ana e Edi Ramës.

“Kjo ishte arsyeja që, që në fillim, duke respektuar detyrimet morale, politike, u futëm në proces në mënyrë të hapur, pa u fshehur. Duke marrë pjesë edhe duke përcaktuar rregullat, sesi duhej të ishte procesi që produkti të ishte jo vetëm i gjithëpranuar, por edhe të ushtrohej siç e do Kushtetuta detyra e Presidentit. E vutë re të gjithë çfarë ndodhi me partitë. Arritëm sot para momentit, kur Shqiptarët duhej ta dinin kush do të ishte presidenti. Qëndrimi ynë është, nesër nuk ka asnjë sens që PD të marrë pjesë në procesin e votimit. Do të legjitimonte kapjen e mazhorancës nga ana e Edi Ramës.”

I pyetur nëse do të ishte në nderin e opozitës që të ishte prezente, qoftë edhe duke votuar kundër, Alibeaj tha se ky nuk është bojkot. Bojkot do të ishte, sipas tij, nëse PD nuk do të bëhej pjesë e procesit.

Nga ana tjetër, ndërkohë, që sot pasdite mblidhet Kryesia e Partisë Socialiste, kreu i grupit Taulant Balla është pyetur nga gazetarët gjatë vizitës së tij në Fier në lidhje me presidentin e ri. Balla tha se në mbledhje do të zhvillohen diskutime konkrete dhe gjithashtu do të shqyrtohet lista që socialistët kanë për kreun e ri të shtetit.

“Mos hyni për diskutimin e emrave edhe për pak orë.  PS do të mbledhë kryesinë ne orën 17.00 dhe do të zhvillohen disa diskutime që i kemi zhvilluar në disa mbledhje të njëpasnjëshme dhe në fund të këtij procesi do të shkojmë edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PS prej ku buron edhe mbështetja që përcakton Kushtetuta.  Duhen 20 firma deputetësh që të hysh në garë.

Ne kemi një short listë përfundimtare e cila do të marri edhe shqyrtimin nga kryesia dhe vendimin përfundimtar të grupit parlamentar.  Mua nuk më lejohet të hy në asnjë diskutim emrash në këto momente sepse askush prej nesh nuk ka të drejtën të kalojë mbi kompetencën e kryesisë e të grupit parlamentar.”

Si zgjidhet Presidenti?

Kushtetuta parashikon 5 raunde votimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në tre raundet e para, Presidenti duhet të zgjidhet me 3/5 e votave, pra 84 vota. Sipas ndryshimeve të bëra së fundmi në Kushtetutë, në rast se në fund të tre raundeve nuk është zgjedhur ende një person, atëherë kalohet në raundin e katërt, ku Presidenti duhet të zgjidhet me 71 vota. Nëse në raundin e katërt njëri prej kandidatëve të mbetur në garë nuk siguron 71 vota, kalohet për votim në raundin e pestë, ku sërish duhen 71 vota. Nëse dështohet edhe në raundin e pestë, atëherë shpërndahet Parlamenti dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe do të jetë maxhoranca e re që do të zgjedhë Presidentin. /abcnews.al/