Partia Demokratike, linja e Sali Berishës, ka reaguar sot në lidhje me lajmin e publikuar nga “Zëri i Amerikës” se Lulzim Basha, ish-kryetari i demokratëve shqiptarë, ka marrë 500 mijë dollarë sponsorizime ruse në vitin 2017. Një lajm ky i bazuar në raportin e shërbimeve inteligjente të SHBA, i cili konfimron inflitrimin rus përmes pagesash të majme në politikën e disa vendeve.
Floriana Garo, lidhur me këtë situatë kërkoi në emër të PD: “Ne jemi parti e interesit kombëtar dhe i shohim këto interesa larg aksit serbo-rus, në linjë të plotë me vendet e botës së lirë, Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Bashkimin Europian.
Partia Demokratike është forca e parë euro-atlantike në Shqipëri, propozuesja e parë ndër vendet ish-komuniste e planit për anëtarësim në NATO dhe Komunitetin Europian.
Si e tillë, Partia Demokratike deklaron se, pasi është njohur me indicie që flisnin për një financim rus, ka denoncuar publikisht këtë akt personal të Lulzim Bashës.
Gjithashtu, Partia Demokratike ka denoncuar përdorimin e kësaj afere per marrjen peng të këtij individi me qëllim shkatërrimin e Partisë Demokratike.
PD ka denoncuar ndërhyrjen direkte të Edi Ramës, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Engjëll Agaçi për mbylljen e çështjes në ngarkim të Lulzim Bashës për këtë aferë.
Partia Demokratike do t’u kërkojë forumeve të saj ngritjen e një grupi pune për ndërmarrjen e një auditi të imtësishëm nën drejtimin e një Komisioni të Posaçëm.
Raporti i auditimit do t’i prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar dhe do të publikohet.
Ne e konsiderojmë ndërhyrjen financiare për interesa malinje, që bien ndesh me interesin kombëtar të Shqipërisë dhe orientimin e saj perëndimor, si një cënim flagrant të sovranitetit të vendit, nga një agresor që po lan në gjak popullin mik te Ukrainës.
Gjithë përgjegjësitë për këtë bien mbi Lulzim Bashën, i cili për orekset, agjendat, hallet dhe shkeljet personale, vendosi të rrënonte sovranitetin e Partisë Demokratike dhe të merrte zvarrë vullnetin e demokratëve.
Partia Demokratike kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë, të mbyllur me ndërhyrjen e Edi Ramës tek gjyqtarët e korruptuar, i cili më parë kishte denoncuar vetë financimin e Lulzim Bashës nga rusët, por tani i duhej te shpëtonte pengun e tij të dobishëm për të shkatërruar Partinë Demokratike.
Rruga tipike mafioze që u gjet për këtë ishte mosdërgimi, në kundërshtim të hapur me ligjin, i dosjes në Gjykatën e Lartë. Partia Demokratike kërkon transparencë dhe një proces të qartë publik.
Ajo është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet shqiptare dhe të vendeve partnere për zbardhjen e plotë të së vërtetës së kësaj çështjeje, ndërsa deklaron se misioni i saj ka qenë dhe vijon të jetë vokacioni perëndimor i kombit shqiptar dhe besnikëria ndaj vlerave themelore që ndajmë me partnerët tanë”.