Ballina Lajme Arrestohet autori i 14 vjedhjeve në Vlorë, vihet nën hetim djali i...

Arrestohet autori i 14 vjedhjeve në Vlorë, vihet nën hetim djali i tij i mitur

1

Një 52 vjeçar është arrestuar ndërsa dy të tjerë janë proceduar penalisht për vjedhje. Arrestimi ka ardhur pas zbardhjes së 14 rasteve të vjedhjeve në Nartë. Shtetasi me inicialet T. Ç, në bashkëpunim me të birin kanë vjedhur orendi shtëpiake, vegla pune, panele diellore, ventilatorë e sende të tjera.

52 vjeçari akuzohet për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe “Shtytja e të miturit në krim”. Nën hetim është vënë edhe djali i tij 14 vjeçar si dhe shtetasi H. D. Ky i fundit i mbante sendet e vjedhura në shtëpinë e tij me qëllim për t’i shitur më vonë.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore disajavore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Storm 3”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi:

– T. Ç., 52 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe “Shtytja e të miturit në krim”.

Në vijim të veprimeve nisi procedimi penal për djalin 14-vjeçar të shtetasit T. Ç., për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu nisi procedimi penal për shtetasin H. D., banues në Vlorë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose i mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale“.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi T. Ç. dhe djali i tij i mitur, përgjatë periudhës tetor 2022 deri në 11 mars 2023, në fshatin Nartë kanë kryer 14 vjedhje banesash, gjatë të cilave kanë vjedhur orendi shtëpiake, vegla pune, panele diellore, ventilatorë e sende të tjera.

Këta shtetas sendet e vjedhura i grumbullonin në shtëpinë e shtetasit H. D, për ti shitur me qëllim përfitimin e vlerave monetare.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.