Ballina Vendi Ankorohet në Portin e Durrësit Fregata franceze

Ankorohet në Portin e Durrësit Fregata franceze

1

Fregata tip La Fayette (FLF) Aconit është ankoruar në portin e Durrësit për një ndalesë disaditore.

Kjo fregatë është vendosur në Mesdheun Qendror si pjesë e misioneve të prezencës së rregullt të anijeve luftarake franceze në këtë zonë detare dhe veçanërisht në detin Adriatik. Patrulla Aconit i mundëson Francës të përvetësojë njohuri të pavarura për zonën, të kontribuojë në sigurinë e qasjeve detare në Evropë dhe të afirmojë kujdesin që tregon Franca për sigurimin e lirisë së qarkullimit detar dhe ajror.

Bashkëpunimi me aleatët e Francës është në qendër të dislokimit të Aconit. Në këtë kontekst kjo fregatë zhvillon disa seanca të përbashkëta stërvitore me partnerët e NATO-s gjatë gjithë misionit të saj. Këtu, bashkëpunimi me Shqipërinë zë një vend të veçantë, që synon njohjen e ndërsjellë dhe ndërveprimin mes marinës franceze dhe asaj shqiptare, në shërbim të stabilitetit të rajonit.

Gjatë kësaj ndalese, ekuipazhi i Aconit do të bashkëpunojë me marinarët shqiptarë me qëllim shkëmbimin e ekspertizës dhe njohurive midis partnerëve të bregut të Mesdheut, veçanërisht në fushat e operacioneve policore në det, të përpjekjeve kundër avarive dhe të zhytjes ushtarake. Këto shkëmbime do të bëjnë të mundur edhe përgatitjen për periudhën e stërvitjes së ndërsjellë në det që do të zhvillohet ditën e largimit të Aconit nga Durrësi, së bashku me një mjet të marinës shqiptare.