Tiranë- Ambasadorja e Bashkimit Evropian, Christiane Hohmann do të largohet nga vendi ynë pas vetëm një viti detyrë. Delegacioni i BE ka sqaruar për mediat se Hohmann do të rikthehet në Shërbimin e Jashtëm Gjerman nga 1 shtatori 2023 për detyrën e saj të ardhshme. Ndërkohë që ende nuk dihet se nga kush do të zëvendësohet Hohmann, por pritet që të zbulohet në javët e ardhshme.
“Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann do të rikthehet në Shërbimin e Jashtëm Gjerman nga 1 shtatori 2023 për detyrën e saj të ardhshme të lartë. Për pyetje të mëtejshme mbi procesin e emërimit të Ambasadorit të ri të BE-së në Shqipëri, ju lutemi kontaktoni Shërbimin e Veprimit të Jashtëm Evropian në Bruksel”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE-së.
Christiane Hohmann u emërua Ambasadore e Bashkimit Evropian në Shqipëri në muajin qershor të vitit 2022, pak kohë pas përfundimit të mandatit të Luigi Soreca. Më parë, Hohmann ka shërbyer si ambasadore e Berlinit në Bosnje dhe Hercegovinë në vitet 2016-2019.