Kancelari gjerman 64 vjeçar Olaf Scholz kërkoi në një telefonatë me Vladimir Putin që trupat ruse të dalin plotësisht jashtë Ukrainës.
Gjatë bisedës të martën pasdite, kancelari këmbënguli “që një zgjidhje diplomatike të gjendet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha zëdhënësi i qeverisë Steffen Hebestreit, citon noa.al.
Kjo zgjidhje diplomatike duhet të bazohet në një armëpushim, një tërheqje të plotë të trupave ruse dhe respekt për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.
︎Kancelari e bëri të qartë gjithashtu se aneksimi i territoreve ukrainase nga Rusia nuk do të mbetet pa përgjigje dhe se këto aneksime nuk do të njihen në asnjë rrethanë.
Kancelari trajtoi gjithashtu situatën në termocentralin bërthamor Zaporizhia. Ai theksoi nevojën për të garantuar sigurinë, për të shmangur përshkallëzimin dhe zbatimin e menjëhershëm të masave të rekomanduara në raportin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
Scholz gjithashtu i bëri thirrje Putinit 69 vjeçar që që të vazhdojë të zbatojë plotësisht marrëveshjen e grurit – rënë dakord me OKB-në dhe Turqinë – në mënyrë që të lehtësojë situatën globale të ushqimit që përkeqësuar nga lufta.
Gjatë shkëmbimit të pikëpamjeve mbi zbatimin e “marrëveshjes së grurit” të përfunduar më 22 korrik në Stamboll, sipas Kremlinit, Vladimir Putin theksoi shqetësimet mbi gjeografinë e pabalancuar të dërgesave detare të grurit ukrainas, duke thënë se vetëm një pjesë e vogël e së cilës shkon në vendet më në nevojë.
Javën e kaluar, Scholz telefonoi edhe presidentin 44 vjeçar ukrainas Volodymyr Zelensky.
Por çfarë thotë Kremlini për bisedën e gjatë mes Scholz dhe Putin. Noa.al citon faqen zyrtare të presidencës ruse që pohon se vëmendja kryesore iu kushtua situatës rreth Ukrainës në kuadër të “operacionit special ushtarak të Rusisë”.
“Vladimir Putin, në veçanti, i tërhoqi vëmendjen Kancelarit Federal për shkeljet flagrante të ligjit ndërkombëtar humanitar nga pala ukrainase, bombardimet e vazhdueshme të qyteteve të Donbass, si rezultat i të cilave po vriten civilë dhe infrastruktura civile po dëmtohet qëllimisht”, thotë Kremlini duke censuruar apelin e Scholz. /noa.al