Ballina Vendi Vrasja e grave, flet vëllai i të dyshuarit: E kam denoncuar vetë...

Vrasja e grave, flet vëllai i të dyshuarit: E kam denoncuar vetë në polici. I thashë mos e lëshoni se do bëjë ndonjë vrasje

2

Për krimin e rëndë të ndodhur në Progër në Devoll ku mbetën të vdekura Bukurie dhe Fatmira Bami, vjehrrë dhe nuse, ka folur vëllai i autorit të dyshuar të vrasjes.

Për vrasjen policia arrestoi Ali Zilin 36 vjeç. Vëllai i tij, Gjergji Zili ka kërkuar ndëshkim, por njëkohësisht fajëson policinë që e lanë të lirë.

Një nga pistat që po heton policia ka të bëjë me një borxh të pakthyer nga viktimat kundrejt autorit, pas shitjes së druve.

Por gjatë një deklarate për mediat, Gjergji Zili vëllai i autorit për vrasjen e dyfishtë në fshatin Progër ka mohuar se viktimat i kishin mbetur borxh vëllait të tij.

‘Lekët e druve të shitura vëllait ia ka dhënë 60 vjeçarja’, është shprehur Gjergji Zili duke rrëzuar kështu alibinë e Ali Zilit dhënë për policinë.

Nga ana tjetër Gjergji Zili është shprehur se ‘më vjen turp të dal në fshat aq më tepër të dal para familjarëve të dy viktimave’.

Ai thotë se nuk e kishte parë vëllanë prej dy ditësh derisa ka shkuar në shtëpi në mëngjes pasi ka vrarë nuse e vjehërr.

Sipas tij vëllai pinte alkool dhe nuk dinte se çfarë bënte. Gjergji Zili thotë se ka denoncuar dhe ai vetë të vëllanë disa herë, por policia e kishte lënë të lirë.

“Unë kam lënë shtetin të veprojë, ishte rënduar ka dy ditë që është larguar nga shtëpia. Kam lajmëruar edhe kryeplakun e fshtatit.

Lekët që fitonte i harxhonte në lokal dhe pinte alkool. Ka pasur edhe dhunë në familje dhe për këtë punë unë e kam denoncuar në polici, para 3 javësh ishte në komisariat.

I kam thënë policisë mos e lëshoni se do të bëjë ndonjë vrasje siç edhe bëri. Ai po të pinte alkool, nuk duhet t’i fliste njeri.

Unë kam krushqi me atë familje që ai kreu krimin, shteti të marrë masat dhe të veprojë sipas ligjit.

Nuk ka pasur probleme me lekët, jam shumë mirënjohës asaj familjeje dhe më vjen rëndë, nuk i dal dot përballë as fëmijëve të tyre dhe më vjen rëndë të dal në fshat sepse i kam vëllezër, i kam motra.

Nuk e di çfarë ka ndodhur! Policia e gjeti në shtëpi, mbrëmë e kam kontrolluar dhe nuk e kam gjetur, nga ora 5 e mëngjesit e dëgjova që u fut në shtëpi. Kur erdhi nuk foli fare”, tha vëllai i autorit të dyshuar.

Mësohet se viktimat ishin të shpërfytyruara totalisht nga goditjet në fytyrë me dru zjarri. Mësohet se ai i ka dhunuar duke i tërhequr zvarrë pasi në vendngjarje janë gjetur flokët e shkulura të viktimave. Pas vrasjes, ai i ka vendosur të dyja bashkë në të njëjtin vend