tvkombi
tvkombi

625 euro në faturën e energjisë, Rama publikon mesazhin e emigrantit nga Italia: Ne këtej po na ikën truri, pa fjalë që ju nuk e keni rritur çmimin

Vendi

Publikuar ne:20:05 - 15/03/2022

Në një kohë kur në vendin tonë sot u protestua për të 7 ditë me radhë kundër rritjes së çmimeve, kryeministri Edi Rama ka publikuar faturën e energjisë së një emigranti në Itali që nuk ka paguar pak, por 625 euro.

Kryeministri shkruan se foto e kësaj fature, bashkë me një mesazh, i janë dërguar nga vetë emigranti që jeton në Firenze emrin e të cilit nuk e bën publik.

Në mesazhin e tij, emigranti shkruan se në Itali faturat e energjisë elektrike po i shkojnë gjithnjë e më të larta, teksa thotë se ka mbetur pa fjalë kur ka verifikuar se në Shqipëri çmimi nuk është rritur. Ai tregon se merr vetëm 1500 euro në muaj, para me të cilat mban 3 vajzat në shkollë.”Zoti Kryeministër! E kotë të luftosh në fejsbuk me ata që një e dy përmendin rrogat tona këtej. Nuk e besova kur ju dëgjova që në Shqipëri nuk e keni rritur faturën e elektricitetit. Po e verifikova dhe ju them që jam pa fjalë! Mos u mërzisni me ata që bëjnë llogaritë e rrogave tona jashtë. Ca nuk kanë, ca nuk dinë ca janë të futur, ruani qetësinë me ta, kush nuk e kupton sot do e kuptojë nesër. Ne këtej po na ikën truri me faturat e energjisë. Italianëve edhe më keq se neve që jemi stërvitur ca andej para se të vinim.  Po ju nis faturën e familjes time mund ta tregoni publikisht. Jetojmë në një apartament aspak luksoz me qira këtu me një nga ato rrogat 1500 euro që i shkruajnë komentet sikur janë 15 mijë euro! Kemi tre goca në shkollë. Nuk po i bie gjatë. S’dimë sa do arrimë ta kapim fundin e muajve që vijnë po vazhdoi kjo furtunë çmimesh. Zoti ju dhëntë durim dhe forcë”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Rama.

Shqipëria, sikurse shumë vende të tjera në Europë e botë po përballen me një rritje të çmimeve, si pasojë e luftës në Ukrainë 

Ju sugjerojmë