Ballina Vendi Policia jep detaje per ngjarjen, si u mbyt Anri Kashiku‘Fëmijët u paralajmëruan...

Policia jep detaje per ngjarjen, si u mbyt Anri Kashiku‘Fëmijët u paralajmëruan mos të hynin në det

1

 Një ngjarje tragjike ndodhi dje në Durrës. Anri Kashiku, 18 vjeç, humbi jetën pasi shpëtoi të vëllain dhe një tjetër të mitur nga mbytja në det.

Ngjarja ngriti disa pikëpyetje se ku ishin, nëse kishte, rojet e plazhit në momentin që fëmijët u futën në det. Policia e Durrësit ka dalë me një sqarim, ku deklarohet se roja bregdetare, I.Sh, kishte vendosur sipas rregullores flamurin e kuq, një shenjë paralajmëruese për të mos u futur në det, pasi dallgëzimi ishte i madh.

Pra, sipas policisë, fëmijët ishin paralajmëruar për të mos hyrë në det, por pavarësisht kësaj ata janë futur për t’u larë.

Po ashtu policia deklaron, se pas disa minutash fëmijët i kanë kërkuar ndihmë një shtetasi që lundronte me varkë, ndërsa për t’i shpëtuar në det ka hyrë roja dhe 18-vjeçari Arni Kashiku, i cili mbeti dhe viktimë.

‘Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në Sektorin Rinia, Durrës, ku humbi jetën A. K., 18 vjec, i cili u fut në det, për të shpëtuar dy fëmijë të mitur dhe vëllain e tij, sqarojmë se:

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje, ka rezultuar se roja bregdetare, shtetasi I. Sh. e kishte vendosur sipas rregullores flamurin e kuq, shenjën paralajmëruese për të mos u futur në det, pasi dallgëzimi ishte i lartë.

Pavarësisht kësaj, fëmijët janë futur në det, duke rrezikuar jetët e tyre.

Pas disa minutash, të miturit i kanë kërkuar ndihmë një shtetasi që po lundronte me një varkë me pedale, afër tyre.

Për të ndihmuar fëmijët, në det janë futur edhe roja bregdetare dhe shtetasi A. K., vëllai i njërit prej të miturve.

Pas ndihmës së dhënë, fëmijët janë nxjerrë në breg, ndërkohe qe 18-vjeçari A. K. nuk ka mundur të dalë dot pasi është mbytur për shkak të dallgëve të larta.

Nga ana e punonjësve të Policisë të DVP Durrës dhe DVKM Durrës është ndërhyrë menjëherë dhe pas rreth 50 minutash është gjetur dhe nxjerrë nga uji, trupi i pajetë i shtetasit A. K.

Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje’ citon policia në njoftimin zyrtar.