Ballina Lajme 146 milionë euro për financimin e bujqësisë, subjektet gati aplikimin së shpejti

146 milionë euro për financimin e bujqësisë, subjektet gati aplikimin së shpejti

1

Bizneset bujqësore duhet të jenë gati të aplikojnë shumë shpejt,për financimet përkatëse në mbështetje të bujqësisë, nga fondet e IPARD III. Në total janë 146 mln euro.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar marrëveshjen ku parashikohen edhe sektorë të rinj që marrin financim nga ky program, si sektori i ullirit dhe vajit të ullirit, bimët mjekësore dhe aromatike dhe përpunimi i produkteve të peshkimit.

Investime në infrastrukturën publike rurale, shërbimet këshillimore, ngritja dhe mbrojtja e pyjeve etj, përfshirë edhe masat ekzistuese do vijojnë të mbështeten me fondet e IPARD III, me synim mbështetjen e investimeve në fermat rentabël bujqësore, përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë ushqimore si dhe për përafrimin e zinxhirit ushqimor me standardet e BE-së.

Sipas autoriteteve publike, diversifikimi i fermës dhe zhvillimi biznesit do të mbështesë nxitjen e punësimit përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe mbajtjes së atyre ekzistuese përmes zhvillimit të veprimtarive të biznesit, duke rritur në këtë mënyrë nivelin e veprimtarive ekonomike të zonave rurale. Nga katër thirrjet e IPARD II janë disbursuar 54,3 mln euro fonde për 479 biznese, ose 64% e financimit.

Agjencia për Zhvillimin Rrural dhe Bujqësor rikujton subjektet në fushën e veprimtarive ekonomike rurale që të kenë gati projektet e tyre për të nisur aplikimin për fonde menjëherë në ditët e para të muajit mars 2023. Janë më shumë se 170 milion euro investime në total, të injektuara në ekonominë e vendit vetëm përmes proramit IPARD-II, ndërsa programi i ri i financimit parashikon 9 Masa Financimi të reja, nëpërmjet fondeve europiane 2021 – 2027.

Programi IPARD, që prej vitit 2018, i financuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Shqiptare, sipas autoriteteve, solli një epokë të re për bujqësinë dhe fushat e tjera të veprimtarisë së bizneseve rurale, duke ndikuar në rritjen e eksporteve dhe të të ardhurave për fermerët në të gjithë vendin.

/rtsh.al/