Ka filluar numërimi mbrapsht për zgjedhjet vendore të 14 majit. Ndërsa po mbyllet muaji janar, partive politike sa vjen dhe po u kufizohet koha si për paraqitjen e kandidatëve për kryebashkiakë, hartimin e listave për këshillat bashkiakë, ashtu edhe për formësimin e koalicioneve në këto zgjedhje.
Në bazë të Kodit Zgjedhor, 14 marsi 2023 është afati i fundit për regjistrimin e partive ose të koalicioneve zgjedhore, ndërsa 26 marsi 2023 është afati i fundit për individët që të regjistrohen si kandidatë për kryebashkiakë.
Kodi Zgjedhor përcakton se partitë politike apo koalicionet do duhet të bëjnë regjistrimin 60 ditë para zgjedhjeve, ndërsa kandidatët 50 ditë para. Partitë që formojnë koalicion do të paraqesin një listë të veçantë me kandidatë dhe një listë tjetër të këshillave bashkiakë.
Zyrtarisht fushata zgjedhore parashikohet të fillojë 30 ditë përpara zgjedhjeve, por duket se partitë politike e kanë nisur atë tashmë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, paraprakisht, ka një fond prej 18 milion lekësh për të administruar zgjedhjet, ndërsa votimi elektronik, që në zgjedhjet e pjesshme vendore u zbatua vetëm në Vorë, synohet që të shtrihet edhe në 7 bashki të tjera. Por kjo mbetet në dorën e komisionit të Reformës Zgjedhore.
Kush nuk mund të kandidojë
Kodi Zgjedhor për zgjedhjet e Organeve të Qeverisjes Vendore thotë se mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.
Kur data e zgjedhjeve caktohet ndërmjet 31 marsit dhe 15 tetorit, qendrat e votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 19:00. Pra në zgjedhjet e 14 majit votuesit do të mund të votojnë deri në orën 19.00 dhe se askush nuk mund të votojë pas orës së mbylljes së qendrave të votimit, me përjashtim të zgjedhësve që presin për të votuar në kohën e mbylljes.
Kodi përcakton se subjekt zgjedhor është një parti politike ose një koalicion partish politike, të cilët paraqesin listë kandidatësh, sipas rregullave që përcaktohen në këtë Kod. Subjekt zgjedhor mund të jetë edhe një shtetas shqiptar me të drejtë vote, i cili propozohet si kandidat për organet e qeverisjes vendore nga një grup zgjedhësish.
Kandidatët për kryetar bashkie ose për këshillat vendorë regjistrohen në KZAZ e qarkut ku ata kandidojnë. Nuk mund të kandidojnë në zgjedhjet vendore dhe as të zgjidhen pa hequr dorë më parë nga detyra:
a) gjyqtarët, prokurorët;
b) ushtarakët e shërbimit aktiv;
c) punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar;
ç) përfaqësuesit diplomatikë;
dh) deputetët, kur konkurrojnë për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore.
e) prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore;
ë) kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve;
f) Presidenti i Republikës;
g) zyrtarët e lartë të administratës shtetërore të përcaktuar me ligj.
Në rast të zhvillimit të zgjedhjeve për Kuvendin dhe për organet e qeverisjes vendore në mënyrë të njëkohshme, kandidatët regjistrohen vetëm në një lloj zgjedhjeje.
Lista e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive
Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, kandidati për kryetar të njësisë së qeverisjes vendore dhe lista e kandidatëve
për këshillat vendorë regjistrohen në KZAZ-në që mbulon njësinë e qeverisjes vendore brenda afatit prej 50 ditësh. KZAZ-ja dorëzon një kopje të listës në KQZ brenda 48 orëve.
Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore lista e kandidatëve regjistrohet në KZAZ-në që mbulon njësinë e qeverisjes vendore brenda 50 ditësh nga data e zgjedhjeve. KZAZ-ja dorëzon
një kopje të listës në KQZ brenda 48 orëve.
Kandidati për kryetar bashkie dhe lista për këshillin vendor të qytetit të Tiranës, si dhe për njësitë e qeverisjes vendore, territori i të cilave nuk mbulohet nga një KZAZ e vetme, regjistrohen në KQZ.
Kandidati për këshillat e bashkisë nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish.
Listat shumemërore
Emrat në listën shumemërore për këshillat e bashkisë paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Numri i kandidatëve në listën shumemërore të një partie të regjistruar si subjekt zgjedhor më vete apo numri i përgjithshëm i kandidatëve të një koalicioni nuk duhet të jetë më i vogël sesa numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse. Për një parti pjesëtare të koalicionit,numri i kandidatëve nuk mund të jetë më i vogël sesa gjysma e mandateve që zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse.
Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Subjekti paraqitës i listës deklaron vendet, sipas kuotës gjinore.
Kandidatët për organet e njësisë së qeverisjes vendore, të paraqitur nga partitë politike, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend ose në organet e njësisë përkatëse të qeverisjes vendore,duhet të mbështeten nga jo më pak se 1 për qind e zgjedhësve të asaj njësie, por, në çdo rast, jo më shumë se 3,000 dhe jo më pak se 50 zgjedhës.
Bën përjashtim nga ky rregull koalicioni, ku partitë pjesëtare zotërojnë bashkërisht në Kuvend një numër mandatesh jo më të vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit, ose kur zotërojnë bashkërisht në këshillin përkatës një numër mandatesh jo më të vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit.
Partia politike ose koalicioni paraqet një vërtetim me shkrim, të nënshkruar nga institucioni i Kuvendit apo njësia e qeverisjes vendore, ku vërtetohet zotërimi i mandatit të paktën 6 muajt e fundit.
Dokumentet e kandidimit
Dokumentet duhet të përmbajnë këto të dhëna:
a) listën e plotë të kandidatëve me renditjen përkatëse, të nënshkruar nga kryetari i partisë, ose propozimin nga komiteti nismëtar i një grupi zgjedhësish;
b) emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, gjininë, adresën e kandidatit dhe një kopje të dokumentit të identifikimit;
c) deklarimin e kandidatit se gëzon të drejtën dhe vullnetin për të kandiduar, në të cilin përfshihet, sipas rastit, deklarimi i dorëheqjes nga funksionet e përcaktuara në nenin 63 të këtij Kodi, shoqëruar me kopjen e deklaratës së dorëheqjes, të depozituar pranë institucionit përkatës;
ç) deklarimin e kandidatit të propozuar nga një grup zgjedhësish se nuk do të mbështetet apo nuk do të mbështesë asnjë subjekt zgjedhor në zgjedhje;
d) një listë të nënshkruar nga zgjedhësit e zonës përkatëse, që mbështesin kandidatin ose partinë.
/rtsh.al/a.meta