Ballina Sport Mrekulli ne fushen e blertë/ Ndërhyrja e menjëhershme e fizioterapistes, kthen...

Mrekulli ne fushen e blertë/ Ndërhyrja e menjëhershme e fizioterapistes, kthen në jetë portierin 19-vjecar të Pogradecit!

1

Mund të kishte ndodhur tragjedia por përgatitja dhe reagimi i shpejtë i stafit mjekësor i shpëtoi jetën portierit 19-vjeçar, Hergis Alliu.

Ngjarja tronditëse u regjistrua vetëm pak minuta pas fillimit të ndeshjes së vlefshme për Kategorinë e Parë mes Pogradecit dhe Shkumbinit, ku një prej sulmuesve të skuadrës mike ka ngritur aq fort këmbën duke goditur në kokë portierin e skuadrës së Pogradecit, Alliu duke e lënë pa ndjenja në fushën e lojës.

Për fatin e mirë ka qenë i menjëhershëm reagimi i stafit mjekësor të skuadrës liqenore që arriti brenda pak minutash të normalizonte situatën.

Reagim heroik që është duartrokitur jo vetëm nga tifozeria në shkallët e stadiumit por edhe nga lojtarët dhe stafet e të dyja ekipeve.

Sipas stafit mjekësor të ekipit pogradecar, nga goditja lojtarit i është bllokuar frymëmarrja për shkak të gjuhës së futur brenda në rrugët e frymëmarrjes.

Ka qenë fizioterapistja e kësaj skuadre, Alma Angjo dhe asistentët e saj ata që kanë arritur të stabilizojnë gjendjen shëndetësore të portierit pogradecar.

Më pas mjekja e skuadrës Alma Çekiçi së bashku me lojtarin u zhvendosën në spitalin e Pogradecit për trajtim më të specializuar. Një histori e frikshme por me një fund të lumtur.