Ballina Lajme 12.6% e të punësuarve në Shqipëri janë në rrezik për të qenë...

12.6% e të punësuarve në Shqipëri janë në rrezik për të qenë të varfër

1

Në vendin tonë varfëria nuk është tipar vetëm i të papunëve dhe personave me aftësi të kufizuar, por prek në një masë të madhe personat që janë në pune. INSTAT raportoi se në vitin 2021 mbi 12.6% e personave të punësuar janë në rrezik për tu përfshirë në varfëri. Ky tregues ishte pothuajse i njëjtë me vitin 2020, dhe nuk ndryshoi edhe pse ekonomia u rrit ndjeshëm më 2021. Në personat e papunë rreziku i varfërisë është më i lartë dhe arrin në 39 %, tek pensionistët është më i ulët në rreth 14%.

Në vendet e zhvilluara ulja e shkallës së papunësisë zakonisht redukton varfërinë. Përjashtim janë rastet kur rënia e papunësisë vjen si rezultat i zgjerimit të punës me pagë të ulët që nuk siguron të ardhura mjaftueshëm të larta për të nxjerrë punëtorët nga varfëria. Ky lloj punësimi zakonisht është i përhapur në vende në zhvillim ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Në vendin tonë shumica e të punësuarve janë në një formë të vetëpunësimit (bujqësia dhe në sektorin informal). Punësimi në këto forma është i pamjaftueshëm për të rritur mirëqenien në nivele larg varfërisë.

Sektori informal gjithashtu është një punëdhënës i madh në vendin tonë, dhe zakonisht personat në këtë lloj punësimi paguhen pak dhe janë të pambrojtur në skemat e sigurimit. Kjo kategori punësimi është në rrezik të varfërisë dhe kjo u provua në vitin e pandemisë.

Gjatë dy dekadave të fundit, punësimi në sektorin informal është rritur në të gjithë botën në zhvillim. Megjithatë, punësimi në këtë sektor karakterizohet nga nivele të ulëta të produktivitetit dhe të ardhurave, dhe vendet e punës mund të jenë të pasigurta. Në Shqipëri varfëria është e lidhur kryesisht me nënshfrytëzimin e krahut të punës, qoftë në formën e papunësisë së hapur apo nen punësimit masiv. Shumica e të varfërve janë ose të papunë ose përballen vazhdimisht me akses të parregullt në punë dhe kushte të pasigurta të punës.

Varfëria bëhet agresive tek te punësuarit për shkak se të varfrit do të ndërmerrnin çdo lloj pune, pavarësisht nga paga dhe kushtet e punës, për të mbijetuar.

Prandaj, shumica e të varfërve edhe në vendin tonë janë të përqendruar në sektorët informalë, kombinojnë aktivitete të shumta, por janë të paaftë për të fituar mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e tyre themelore.

Kombet e Bashkuara, nëpërmjet Departamentit të Punës (ILO) përllogaritën se gjatë vitit 2020, në Shqipëri 12% e totalit të të punësuarve morën paga nën kufirin e varfërisë relative 5 dollarë në ditë. Sipas përllogaritjeve të ILO-s, 12% e të punësuarve në vendin tonë marrin një pagë mujore maksimumi 150 euro (18,000 lekë

Një vëzhgim tjetër i Eurofound, projekt i Komisionit Europian gjeti se 69% e të punësuarve në Shqipëri hasin vështirësi në plotësimin e nevojave mujore, një përqindje kjo që është më e larta në Europë dhe me një diferencë të madhe nga vendet e Bashkimit Europian./ MONITOR